Partia Komuniste e Kinës ka njoftuar se do të përqendrohet në përshpejtimin e vetëmjaftueshmërisë në shkencë dhe teknologji, pas një takimi katërditor ku u miratua një draft i planit të ardhshëm pesëvjeçar të zhvillimit të vendit.
Kina po përballet me “ndryshime të thella dhe komplekse” dhe me pasiguri në rritje, thuhet në një njoftim të publikuar të enjten në mediat shtetërore. Aty shtohej se vendi do të përpiqet për “zhvillim të shpejtë ekonomik” dhe për “forcimin e sigurisë kombëtare”.
Në komunikatë u premtuan gjithashtu më shumë përpjekje për të zgjeruar kërkesën e brendshme dhe për të përmirësuar jetesën e qytetarëve, por pa dhënë detaje se si synon të frenohet mbështetja e tepruar e Kinës tek eksportet.
Dokumenti nuk përmendte drejtpërdrejt luftën tregtare me presidentin amerikan Donald Trump, por ky zhvillim vjen ndërkohë që SHBA ka vendosur kontrolle gjithnjë e më të ashpra ndaj aksesit të Kinës në gjysmëpërçues dhe produkte të tjera të teknologjisë së lartë.
Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, pritet të takohet me Trump-in javën e ardhshme gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut. Presidenti amerikan ka thënë se synon të arrijë një marrëveshje tregtare “të drejtë” pavarësisht përplasjeve të fundit mbi tarifat.
Pekini ka pothuajse monopol në prodhimin e metaleve të rralla, të domosdoshme për industrinë globale të mbrojtjes dhe të gjysmëpërçuesve, dhe pritet ta përdorë këtë si mjet presioni në bisedimet tregtare të ardhshme.
Javën e kaluar, tensionet mes Kinës dhe SHBA-së u përshkallëzuan pasi Pekini njoftoi kufizime të reja mbi eksportet e metaleve të rralla, ndërsa Trump kërcënoi të rrisë tarifat ndaj mallrave kineze deri në 100 për qind.
Të hënën, Trump u shpreh se dëshironte t’i linte pas mosmarrëveshjet e fundit, duke thënë se të dy vendet duhet të lulëzojnë së bashku dhe njoftoi se do të vizitojë Kinën në fillim të vitit të ardhshëm pas një ftese nga Pekini.
Sipas analistëve dhe ekspertëve të industrisë, thyerja e dominimit të Kinës mbi furnizimin me metale të rralla pritet të zgjasë të paktën një dekadë, në mos më shumë.
Përpjekjet për vetëmjaftueshmëri përballen me sfida të shumta, përfshirë kostot e larta kapitale, mungesat në ekspertizën teknike dhe rreziqet mjedisore.