Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova është renditur në vendin e 26-të në botë për nga siguria e investimeve, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata ndërkombëtare Henley.
Sipas këtij vlerësimi, Kosova është e para në rajon dhe ndodhet shumë pozicione përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Kurti tha se ky rezultat është dëshmi e radhës për rritjen ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë, faktorë që po e bëjnë Kosovën një vend gjithnjë e më tërheqës për biznes dhe investime.
“Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha,” ka shkruar Kurti.
Raporti i Henley vjen vetëm pak muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi Kosovën nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se Kosova pritet të ketë sërish rritjen më të lartë ekonomike në rajon për këtë vit.
Kurti shtoi se, pavarësisht krizave globale dhe sfidave të jashtme, Kosova po vazhdon të forcohet dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta.