Ballina Ekonomia Ministri Ervin Demo: Paketa e Maleve, 10 milionë euro projektet e para

Ministri Ervin Demo: Paketa e Maleve, 10 milionë euro projektet e para

107
0

Paketa e Maleve i hap një rrugë të re zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore dhe të thella përmes. Nisma e qeverisë synon të kthejë territoret e braktisura në motorë të rinj të rritjes ekonomike, turizmit dhe agroturizmit në vend.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo,  gjatë takimin me 61 kryetarët e bashkive nën praninë e Kryeministrit Edi Rama, theksoi se kjo paketë është një instrument konkret në duart e bashkive për të tërhequr investime miliona euroshe dhe për të krijuar qindra vende pune në territorin e tyre.

“Ky nuk është thjesht një proces administrativ apo një sasi parash në ekonomi. Kjo është një nismë që krijon qindra vende pune, rigjallëron jetën sociale në zonat e thella dhe e kthen tokën e fjetur në një burim vlere për komunitetin,” – u shpreh ministri Demo

Rezultatet e para janë tashmë të prekshme. Pesë bashkitë e para që kanë avancuar me procesin janë Tropoja, Elbasani, Përmeti, Skrapari dhe Belshi. Ato kanë hapur rrugën për investime konkrete në turizëm, bujqësi dhe ekonomi të gjelbër. Në këto bashki janë identifikuar dhjetëra projekte me potencial të lartë realizimi, me një vlerë totale investimesh që kalon 10 milionë euro.

Pas miratimit nga qeveria, qytetarët do të kenë mundësi të aplikojnë për t’u njohur si posedues jo-pronarë të tokave në zonat prioritare dhe të kërkojnë leje zhvillimi.

Investitorët që realizojnë projektet do të kenë të drejtën të blejnë pronën me vlerën simbolike prej 1 euro, ndërsa 500 investitorët e parë do të përfitojnë lehtësira të rëndësishme fiskale, përfshirë përjashtimin për 10 vjet nga taksat mbi pasurinë, TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat.

“Rruga tashmë është e shtruar për të gjitha bashkitë. Me asistencën e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, çdo njësi vendore do të mund të ecë përpara me projekte që sjellin investime, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm në territorin e saj,” – përfundoi ministri.