Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE) ka hapur një hetim ndaj mjeshtrit të madh rus, Vladimir Kramnik, pas vdekjes së papritur të mjeshtrit amerikan Daniel Naroditsky, 29 vjeç.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Naroditskyt u bë publik të hënën nga Klubi i Shahut të Charlotte-s, duke tronditur komunitetin ndërkombëtar të shahut. Vdekja e tij erdhi pas një periudhe të gjatë përplasjesh publike me ish-kampionin botëror Kramnik, i cili e kishte akuzuar atë dhe disa shahistë të tjerë për përdorim të “motorëve të shahut”, programe kompjuterike që gjenerojnë lëvizjet më të forta në një ndeshje.
Kramnik, që mbajti titullin e kampionit botëror nga viti 2000 deri në 2006, kishte sulmuar publikisht Naroditskyn në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të fundit. Pas vdekjes së tij, presidenti i FIDE-s, Arkady Dvorkovich, njoftoi se do të nisë një hetim të plotë mbi deklaratat e Kramnikut, duke i dërguar ato për shqyrtim në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës të FIDE-s.
“Jeta dhe dinjiteti njerëzor janë vlera themelore që ne ndajmë. Debatet publike në botën e shahut nuk duhet të kalojnë kufijtë e respektit dhe të dëmtojnë mirëqenien e njerëzve”, tha Dvorkovich në deklaratën e tij.
Ai shtoi se FIDE do të ndërmarrë masa ndaj çdo rasti ku vërehet mungesë respekti, ngacmim apo bullizëm brenda komunitetit të shahut.
Naroditsky, që kishte mohuar kategorikisht akuzat e Kramnikut, kishte pranuar se këto sulme kishin ndikuar ndjeshëm në shëndetin e tij mendor. “Që nga historia me Kramnikun, ndjej se sa herë luaj mirë, njerëzit mendojnë menjëherë më të keqen”, kishte thënë ai gjatë një transmetimi në platformën Twitch.
Shumë shahistë të njohur, përfshirë Hikaru Nakamura dhe Nihal Sarin, kanë dënuar publikisht sjelljen e Kramnikut, duke e akuzuar atë për ngacmim dhe përpjekje për të shkatërruar reputacionin e kolegëve të tij. Edhe kampioni i shumëfishtë botëror Magnus Carlsen e quajti sjelljen e Kramnikut “të papranueshme dhe shqetësuese”.
Megjithatë, Kramnik ka mohuar çdo akuzë për bullizëm, duke deklaruar për Reuters se “nuk ka bërë kurrë fyerje personale ndaj Naroditskyt” dhe ka kërkuar “qartësim nga presidenti i FIDE-s” për hetimin ndaj tij. Ai gjithashtu pretendoi se ka marrë kërcënime me vdekje pas kësaj ngjarjeje.
Nuk është hera e parë që Kramnik përballet me akuza të tilla. Në vitin 2023, platforma Chess.com i mbylli blogun për përhapje akuzash të pabazuara kundër dhjetëra lojtarëve. Një vit më vonë, ai publikoi në rrjetet sociale një listë me titullin “Cheating Tuesdays”, ku përfshiu edhe mjeshtrin çek David Navara, i cili më pas pranoi se ishte shtyrë drejt mendimeve vetëvrasëse për shkak të këtyre akuzave.
Daniel Naroditsky ishte një nga figurat më të dashura të shahut modern. I lindur në Kaliforni dhe diplomuar në Universitetin Stanford, ai u bë mjeshtër i madh në moshën 18-vjeçare. Përveç sukseseve në pesë Kampionate Kombëtare të SHBA-së, ai ishte edhe shumë i ndjekur online me mbi 800 mijë ndjekës në YouTube dhe Twitch.
Ai botoi librin e tij të parë “Mastering Positional Chess” në moshën 14-vjeçare dhe ishte një komentator i vlerësuar për qasjen e tij të qetë dhe edukative ndaj lojës.