Ballina Sport Nga shok ekipi me Ronaldon, në kantier ndërtimi: Rrëfehet futbollisti shqiptar

Nga shok ekipi me Ronaldon, në kantier ndërtimi: Rrëfehet futbollisti shqiptar

111
0

Ish-futbollisti Çëndrim Kameraj lindur në Luzern të Zvicrës, por me origjinë nga Kosova ka sqaruar videon që u bë virale në rrjetet sociale, ku ai shihej duke punuar në një kantier ndërtimi, edhe pse dikur stërvitej me futbollistin e famshëm Cristiano Ronaldo.

Në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin “Në kohë reale”, nën moderimin e Flori Gjinit, ai tregoi se videoja ishte pjesë e një detyrimi praktik i punës aktuale ku ai punon dhe jo prezantim i profesionit të tij.

“Videon që kam publikuar në rrjete sociale e kemi pasur obligim të shkojmë të punojmë një ditë në kantier, për të ditur si është puna atje dhe për t’ia ditur vlerën. Kemi bërë video për t’ia treguar shefit që jemi në punë. Të gjithë, target, kemi bërë nga një video individuale dhe në fund kemi bërë edhe një video bashkë,” shpjegoi Kameraj.

Ai shpjegoi se është shkëputur nga futbolli për shkak të problemeve me gjurin, pas pesë ndërhyrjeve kirurgjikale. Megjithatë, ai tha se ka vendosur të qëndrojë pranë futbollit, kësaj radhe si trajner.

Jam shkëputur nga futbolli sepse kam bërë pesë ndërhyrje në gju. Në fillim nuk doja të kisha më lidhje me futbollin, por më thanë që është gjynah ta hedhësh atë eksperiencë. Tani kam vendosur të bëhem trajner dhe jam duke u diplomuar,” tha ai.

Kameraj kujtoi me nostalgji kohën e tij te Juventusi dhe mundësinë e rrallë për t’u stërvitur me Cristiano Ronaldon.

“Ka qenë një kohë shumë e mirë. Besoj se të gjithë e kanë ëndërr ta shohin Ronaldon, unë kam pasur mundësinë të stërvitem me të. I kam thënë që jam shqiptar, por në Itali më thonin që jam zviceran. Kosovën dhe Shqipërinë i dua shumë, janë dy shtete që i ndjej si të miat. Jam krenar që jam shqiptar,” tha Kameraj.

Ish-lojtari tregoi se kontratën me Juventusin e kishte për tre vite, ndërsa më pas mori hapin për t’u bashkuar me kombëtaren e Zvicrës.

“Ftesa më erdhi pasi shpeshherë kisha luajtur me kombëtaren e Zvicrës. Aty vijnë skautët që ndjekin lojën, dhe prej aty më erdhi oferta nga Juventusi. Fillimisht mendova se ishte ftesë e rreme, por më pas më thirrën. Ronaldo është shumë njeri i mirë, ndonëse në rrjete sociale duket si mendjemadh. Prej tij mëson shumë,” tha më tej ai.

Kameraj tha se ëndrra e tij për të jetuar me futbollin vazhdon. “Kam pasur ëndërr të luaja me Real Madridin, por tani që nuk mund të luaj më, ndoshta do ta realizoj si trajner,”  tha ai.