Nga Ylli Manjani
Kjo është Shqipëria sipas raporteve të ODIHR.
Në Shqipëri zgjedhjet zhvillohen rregullisht, por raportet e zgjedhjeve tregojnë cilësinë e garës e secilës garë.
Nga viti 2009 deri në 2025, raportet e ODIHR kanë ndjekur një linjë diagnostifikimi të përsëritur: procesi është gjithnjë konkurrues, por asnjëherë plotësisht i barabartë.
Në vitin 2009, raporti më kritik i pas zgjedhjeve të 1996-ës, ODIHR tha troç se zgjedhjet “nuk arritën standardet ndërkombëtare”. Ishte koha kur numërimi u kthye në krizë politike dhe ku politika shqiptare humbi përfundimisht iluzionin e konsensusit elektoral. Një debat për përfundoi me një grevë urie në bulevard.
Në vitet që pasuan, raportet e ODIHR u bënë më teknike, por jo më të buta. Aq teknike sa fjala “blerje vote” u bë term institucional, ashtu si “presion mbi punonjësit publikë” dhe “keqpërdorim i burimeve shtetërore”.
Në vitin 2021, OSBE konstatoi se ndarja mes shtetit dhe partisë mbetej e paqartë, ndërsa “patronazhistët” zbuluan një model kontrolli të votuesit që nuk i përket një demokracie të konsoliduar.
Në raportin e fundit, për zgjedhjet parlamentare 2025, ODIHR shënon disa përmirësime teknike – nga përdorimi i teknologjisë deri te votimi i diasporës – por thelbi mbetet i njëjtë: loja nuk është e barabartë. Administrata, burimet shtetërore dhe frika e humbjes vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si zhvillohet fushata dhe si perceptohet rezultati.
Nëse lexohet në vijimësi, gjuha e ODIHR-it tregon një rrugë drejt përmirësimit teknik, por jo institucional.
Pra asgjë e re nga ODIHR! As farsa e as mrekulli zgjedhore nuk do gjeni edhe këtë radhë.
Ndoshta në vite kemi mësuar të organizojmë zgjedhje më të mira, por nuk kemi mësuar ende t’i besojë vetes pas votimit.
Ndoshta ky është edhe hendeku midis asaj që na thotë ODIHR si “proces konkurrues” dhe nevojës që kemi për demokracinë reale.
Ndoshya për ta mbyllur këtë hendek, nuk mjafton një komision reforme zgjedhore, por një kulturë politike që pranon humbjen po aq natyrshëm sa fitoren.
Nuk na i zgjidh ODIHR hallet e brendshme të partive. Aq më pak dështimin për të bërë politikë konkurruese.