Ballina Ekonomia Paketa e re fiskale 2026, ndryshime për fermerët, bizneset, të vetëpunësuarit dhe...

Paketa e re fiskale 2026, ndryshime për fermerët, bizneset, të vetëpunësuarit dhe taksat vendore

77
0

Qeveria po finalizon paketën e re fiskale që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, me disa ndryshime të rëndësishme në disa ligje bazë të sistemit tatimor dhe financiar në vend. Propozimet e Ministrisë së Financave prekin të paktën katër akte kryesore: ligjin për taksat vendore, ligjin për TVSH-në, ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, si dhe ligjin për tatimin mbi të ardhurat.

Lehtësira në taksën e ndikimit në infrastrukturë

Në ligjin për sistemin e taksave vendore, është parashikuar një përjashtim i rëndësishëm për ndërtimet publike. Projektet që realizohen në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, të financuara nga buxheti i shtetit ose nga njësitë e qeverisjes vendore, do të përjashtohen nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Kjo nismë synon të ulë kostot për projektet publike dhe të përshpejtojë zbatimin e tyre, sidomos në nivel bashkish.

Rritje e kompensimit për fermerët

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Qeveria ka propozuar vendosjen e normës së kompensimit për prodhuesit bujqësorë në 10%, duke synuar mbështetjen e fermerëve dhe uljen e pabarazive në zinxhirin e furnizimit bujqësor.

Ndryshimet parashikojnë që kompensimi do të llogaritet mbi vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të shitura gjatë një periudhe gjashtëmujore, dhe pagesa do të kryhet drejtpërdrejt nga Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.

Një element i ri është edhe përjashtimi nga skema i blerësve që ushtrojnë aktivitet si “restorant”, duke synuar shmangien e abuzimeve dhe forcimin e lidhjes direkte midis fermerëve dhe zinxhirit prodhues.

Aktualisht, sipas ligjit “Për TVSH-në”, norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë është zero për qind, por sektori përfiton një sërë lehtësish tatimore dhe fiskale për të nxitur prodhimin dhe investimet në bujqësi.

Përshtatje e ligjit për faturën elektronike

Në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, janë propozuar disa ndryshime teknike, që lidhen me përditësimin e terminologjisë dhe përmirësimin e procedurave.

Për shembull, kudo në tekst zëvendësohen termat e vjetër “tatim mbi fitimin” me “tatim mbi të ardhurat e korporatës” dhe “tatim i thjeshtuar për biznesin e vogël” me “tatim mbi të ardhurat personale të biznesit”, në përputhje me ligjin e ri të tatimeve.

Gjithashtu, parashikohet që në rastet kur blerësi është individ pa aktivitet tregtar, në faturë të shënohet emri, ID personale dhe adresa e saktë, si dhe shtyhet me një ditë afati i transmetimit të faturës elektronike në sistem, nga dita e dhjetë në të njëmbëdhjetën.

Deklarata e vetëpunësuarit: masë kundër shmangies tatimore

Ndryshimi më interesant në paketë lidhet me ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, ku shtohet një mekanizëm i ri për identifikimin e rasteve të shmangies tatimore nga individët e vetëpunësuar.

Sipas draftit, individët që ofrojnë shërbime si të vetëpunësuar, por në praktikë punojnë në kushte të ngjashme me punëmarrësit, do të trajtohen si të punësuar dhe do të tatohet si të tillë.

Për këtë qëllim, parashikohet krijimi i një “Deklarate të Statusit të të Vetëpunësuarit”, që do të dorëzohet bashkë me deklaratën tatimore vjetore. Vetëdeklarimi do të ndihmojë administratën tatimore të identifikojë më qartë natyrën e marrëdhënies ekonomike dhe të shmangë rastet kur vetëpunësimi përdoret për të reduktuar barrën tatimore.

Të gjitha këto ndryshime janë planifikuar të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026, pas miratimit në Qeveri dhe aprovimit nga Kuvendi. Paketa e re fiskale vjen në një moment kur qeveria po përgatitet për një rishikim më të gjerë të sistemit të tatimeve dhe taksave, me synimin për ta bërë atë më të drejtë, më efikas dhe në linjë me standardet e Bashkimit Evropian. /ekofin.al