Ballina Politika Raporti i OSBE-ODIHR, Bylykbashi: Shqipëria është kthyer pas 35 vite, Rama riktheu...

Raporti i OSBE-ODIHR, Bylykbashi: Shqipëria është kthyer pas 35 vite, Rama riktheu partinë-shtet

79
0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësishte deputeti Oerd Bylykbashi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke e cilësuar atë si ‘damkosje historike’ për procesin zgjedhor në Shqipëri dhe si dëshmi se vendi është kthyer prapa me dekada në standardet demokratike.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Bylykbashi shkruan se raporti i ODIHR konfirmon zyrtarisht se në zgjedhjet e 11 majit nuk pati ndarje mes shtetit dhe partisë në pushtet, duke shënuar, sipas tij, një rikthim të plotë të modelit të ‘partisë-shtet’ të periudhës komuniste.

Postimi Bylykbashit

‘ODIHR vë vulën: Kthim pas 35 vite.

Në vitin 1990, sapo ra komunizmi, OSBE caktoi standardin bazë për zgjedhje të lira dhe të drejta:

– Shteti duhet të ndahet nga partia në pushtet.

– Zgjedhjet duhet të jenë të lira.

– Garuesit duhet të kenë barazi në garë.

Në vitin 2025, OSBE/ODIHR damkos zgjedhjet në Shqipëri:

– U zhduk kufiri ndarës mes shtetit dhe partisë në pushtet.

– Fusha e lojës ishte e pabarabartë.

– Partia Socialiste përfitoi nga qenia në pushtet për të fituar avantazh në zgjedhje.

– U ushtrua presion mbi zgjedhësit,’ shkruan Bylykbashi.

Sipas tij, këto gjetje provojnë se më 11 maj zgjedhjet nuk kanë qenë as të lira dhe as të ndershme, pasi ‘nuk mund të ketë garë të drejtë kur kundërshtar është vetë shteti’.

‘Nuk mund të ketë garë të drejtë e të barabartë kur në zgjedhje kundërshtar është shteti. Aq më pak kur partia-shtet është në koalicion zgjedhor me kartelet e kokainës dhe heroinës,’ thekson nënkryetari demokrat.

Bylykbashi shton se 35 vite pas Dokumentit të Kopenhagenit, që vendosi standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, qeveria e Edi Ramës ka rikthyer modelin e Partisë së Punës.

‘35 vite pas Dokumentit të Kopenhagenit që vuri standardet për zgjedhje demokratike, Edi Rama dhe trashëgimtarët e Partisë së Punës rikthyen partinë-shtet,’ përfundon reagimin e tij Bylykbashi.