Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë komunën Canaro, në provincën e Rovigos në Itali, ku një familje e tërë është gjetur pa jetë në banesën e tyre pas disa ditësh pa asnjë kontakt me të afërmit.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, kur karabinierët kërkuan ndihmën e Zjarrfikësve të Rovigos për të hyrë në shtëpinë e familjes, e cila ndodhej në rrugën Cesare Battisti.
Brenda banesës, zjarrfikësit gjetën trupat e pajetë të babait, nënës dhe vajzës së tyre 27-vjeçare. Gjatë kontrollit, me pajisje për zbulimin e gazit, u konstatua rrjedhje monoksidi karboni nga bojleri, që dyshohet të ketë qenë shkaku i vdekjes tragjike.
Në vendngjarje ndodheshin gjithashtu karabinierët dhe ekipet mjekësore të shërbimit të urgjencës Suem 118, të cilët konfirmuan ndarjen nga jeta të tre personave.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të verifikuar shkaqet e sakta të rrjedhjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë teknike apo defekt në sistemin e ngrohjes.