Ballina Editorial Vëzhguesit rrëzuan ’11 majin’, tani është koha që ndërkombëtarët të shembin ‘efektin...

Vëzhguesit rrëzuan ’11 majin’, tani është koha që ndërkombëtarët të shembin ‘efektin Madagaskar’ në Shqipëri

96
0

Kur politologu i njohur amerikan, Brian Klaas, mbërriti në Madagaskar në vitin 2013, nuk kishte në plan të shihte lemurët. Eksperti i njohur i shkencave politike, një nga emrat më të famshëm në botë në studimin e autokracive moderne, ishte pjesë e ekipit vëzhgues të zgjedhjeve.

Nga ajo që kishte lexuar në media, thuhej se vendi afrikan po bënte reforma.

Por ajo që pa gjatë procesit zgjedhor e tronditi. Asgjë në ato votime nuk kishte lidhje me fjalën ‘demokraci’, do të shkruante ai më vonë.

Akoma më tronditës ishte fakti se ende pa nisur mirë numërimi i votave, diplomatët nisën garën për të uruar për procesin zgjedhor. Në krye të atyre të mesazheve ishin zyrtarët e BE, një donator i rëndësishëm për Madagaskarin.

E gjithë kjo situatë groteske bëri që Klaas të përdorte për herë të parë termin ‘efekti Madagaskar’, për të përshkruar ato vende ku pritshmëria për standardet zgjedhore është ulur ndjeshëm.

Jo vetëm kaq, por ky term përdorej për të treguar hipokrizinë e Perëndimit, ku tjetër gjë thonë kancelaritë dhe tjetër gjë thonë vëzhguesit.

Në fund të fundit, vëzhguesit i thanë të gjitha në raportin e tyre për zgjedhjet, pavarësisht presioneve, jo nga vendi ku u mbajtën zgjedhjet, por më shumë nga ndërkombëtarët. Njëri prej tyre gati sa nuk u tha se rëndësi ka që vendi nuk ishte zhytur në luftë gjatë procesit.

Po nëse Madagaskari është shumë larg Perëndimit, në mes të Europës ky efekt po konsumohet në mënyrë dramatike.

Sot shqiptarët u njohën me raportin përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë që rrëzuan zgjedhjet në themel. Fillimisht duke thënë se partia në pushtet ishte njësuar me shtetin, më pas duke thënë se gara ishte e pabarabartë, se pati blerje votash, presione dhe kërcënime. Se zgjedhjet u dominuan nga krimi i organizuar dhe rrjeti i patronazhistëve. Bash si në Madagaskarin e largët, edhe këtu u tha se burgosja dhe përndjekja e liderëve të opozitës kishte motive politike.

Por kulmi ishte se këto zgjedhje shkelën barbarisht Kartën e Kopenhagenit, dokumentin bazë të Perëndimit për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ky raport është treguesi më i qartë se është koha që ndërkombëtarët të shembin ‘efektin Madagaskar’ në mes të Europës.

Nëse nuk e besoni, shihni lajmet e medieve shqiptare dhe të huaja, se si Madagaskari është kthyer sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Gjenerata Z ka shpërthyer në protesta masive duke kërkuar më shumë demokraci.

Ky është një tregues i qartë se stabiliteti pa demokraci është thjesht një iluzion.

Një iluzion që edhe pse duket se zgjat, vjen një moment dhe shembet. Madje shembet përdhunshëm./Syri