Ekspertja për marrëdhëniet me jashtë, Ilda Zhulali, e cilëson raportin final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit si më të rëndin dhe më kritikun që është publikuar ndonjëherë për Shqipërinë.
E ftuar në një emision televiziv, ajo tha se dokumenti ndërkombëtar nuk lë hapësirë për interpretime, pasi zbërthen një e nga një të gjitha mënyrat e keqpërdorimit të shtetit dhe deformimit të votës, duke e përshkruar procesin si një farsë elektorale.
Zhulali theksoi se raporti identifikon Fierin si qarkun ku është vërejtur më shumë abuzim me burimet shtetërore, duke e lidhur këtë me drejtuesen politike të zonës, Belinda Ballukun, e cila në raport paraqitet si simbol i manipulimit të administratës për interesa elektorale.
Ilda Zhulali: Ky raport duket si manual i deformimit të votës. Pra, ky raport na thotë që këtu njerëzit kanë votuar por zgjedhje nuk ka patur dhe në natyrën e raporteve që prodhon OSBE-ODIHR, ky është raporti më i keq që është prodhuar ndonjëherë për Shqipërinë. Dhe ju nëse i vini re, nuk janë më as ato fjalitë hyrëse që kanë qenë si kortezi e përgjithshme që ‘dita e zgjedhjeve ishte e mirë, e qetë’…nuk i ka më as ato, por zbërthen një e nga një me shumë hollësi të gjitha elementet e keqpërdorimit të shtetit në të gjitha dimensionet e veta.
Dhe mendoj unë për shembull, ka disa detaje shumë pikante aty. Kush është simboli i keqpërdorimit të shtetit. Është Belinda Balluku, dhe e thotë raporti aty që qyteti ku është vënë re më shumë keqpërdorimi i burimeve shtetërore është qarku i Fierit. Dhe nuk janë detaje të rastësishme këto, mendoj që janë elementë të vendosur qëllimisht aty. Ajo që më bën përshtypje sepse Belinda Ballukun, Edi Rama e ka bërë edhe simbolin e fitores së tij. Pra, ajo është personi që mban triumfin e qeverisjes Rama aktuale. I dha dhe si shpërblim drejtimin e fushatës së Tiranës, por në raportin e OSBE-ODIHR del si kulmi i keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe manipulimit me çfarë kishte në dorë ajo për të kapur dhe manipuluar votën. Ky është elementi i parë.
E dyta që mendoj se është shumë e rëndë, është evidentimi që i bën drejtësisë penale. Përgjithësisht, regjimet kur i kanë një formë disi në dukje edhe më fasadë demokratike, përdorin mjete të ndryshme që kanë në dispozicion, por drejtësinë penale është mjeti i fundit që përdorin. Ai është mjeti më i ashpër që ka një regjim në dorë.







