Vjeshta ka nisur e mbarë për turizmin. Rreth 1.2 milionë të huaj hynë në territorin shqiptar vetëm në muajin e kaluar me rritje 9.9% në raport me vitin e kaluar, kur erdhën afro 1.1 milionë të huaj.
Në muajin e kaluar me ritëm edhe më të shpejtë janë rritur edhe daljet nga vendi. Vetëm në shtator thotë INSTAT ishin 772 mijë shqiptarë që udhëtuan jashtë Shqipërie me rritje prej 10.7% krahasuar me vjet.
Sa i përket 9 mujorit, deri në fundit të shtatorit vendi u vizitua nga 10.2 milionë të huaj në raport me 9.6 milionë që erdhën vjet në të njëjtën periudhë.
Pjesa më e madhe që dominuan turizmin e 9 muajve të këtij viti ishin nga Evropa e kryesisht nga shtetet fqinje, ndërsa në rritje është edhe numri i pushuesve nga SHBA dhe Azia. Referuar rezultateve të deritanishme duket se Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia, janë shtetet kryesore që mbajtën ‘gjallë’ turizmin në vendin tonë.
Vijimi i turizmit në shifra të larta, po evidentohet edhe si faktor kryesor që po zhvlerëson pa ndalur valutat. Euro po këmbehet me 96 lekë prej ditësh, ndërsa dollari amerikan është fiksuar në 83 lekë.







