Nga Irena Beqiraj
E enjtja e emisioneve politike, por jo vetëm, qartazi tregon se tanimë është krijuar një makineri e përsosur ku përfshihen media, analistë, gazetarë, intelektualë edhe qëllimi i tyre nuk është më të bindin, por të lodhin. Në ekranet tona “faktet” mbysin njëri-tjetrin me bollëkun e tyre, derisa nga lodhja çdo përpjekje për të dalluar të vërtetën ndihet e politizuar.
Ndërsa demokracia kërkon koherencë, autokracia kultivon zhurmën. Demokracitë vdesin jo vetëm nga gënjeshtrat e dukshme, por edhe nga zhurma që krijohet për “t’i zbuluar” ato, duke pamundësuar të dallojmë ndryshimin midis të vërtetës dhe britmave.
Dje, në rrëmujën tonë demokratike të fakteve, për disa OSBE-ja i kishte certifikuar zgjidhjet, por njëherazi për disa të tjerë kishte certifikuar edhe manipulimin e tyre.
Po ashtu zhurma e largimit të disa demokratëve drejt karrigeve të pushtetit, nga të shumtët u interpretua si “përçarje apo të shkalafitje e opozitës” .
Ndërsa të tjerët, gjasme pa dert, argumentuan se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar; largimet nuk janë gjë tjetër veçse taktikë makiaveliste e Ramës, për të tërhequr njerëz ambiciozë, por të parëndësishëm për opozitën. Ja tek i ndamë edhe demokratët në ca të dorës së parë e ca të dorës së dytë!
Në këtë manual zhurme të hartuar me kujdes, qytetarët e këtij vendi besojnë se jetojnë në demokraci. Besimi i tyre në sistem nuk është naiv, por i sajuar, thënë ndryshe është produkt i propagandës.
Në këtë kuptim propaganda, nuk ka errësuar vetëm realitetin; ajo po rishkruan gramatikën emocionale përmes së cilës ndihet realiteti.
Edhe kur autokracia ia arrin të kushtëzojë reflekset, ajo nuk ka më nevojë më për kamxhikun, pasi çdo abuzim mund të ri-interpretohet si disiplinë edhe mungesa e shpresës është më efektive sesa shtypja .
Edhe ky është gjenialiteti i autokracisë moderne ku jetojmë . Edi Rama nuk ka nevojë t’i ndalojë më zgjedhjet, ai thjesht i zbraz ato nga pritshmëria.
Edhe për t’ia arritur kësaj i nevojitet gumëzhima ritmike e demoralizimit të opozitës, ku të gjithë një zëri përsërisim:
“Je e dobët. Je e përçarë. Je e mbaruar”.
Duke zëvendësuar faktet me ndjesitë, kritikën me përbuzjen, edhe dyshimi i opozitës mbi veten është bërë i padallueshëm nga çfarë nënkontraktorët e makinerisë së zhurmës rrëfejnë çdo ditë ekraneve.
E pra, pas disa viteve që demokratëve u thuhet se janë kaotikë, elitistë ose naivë, është humane që disa, sidomos ata të parëndësishmit e dorës së dytë, të besojnë se mund të jetë e vërtetë.
Dyshimi në vetvete ripaketohet si realizëm edhe lodhja si pragmatizëm, sepse mendja njerëzore , nuk mund të jetojë pafundësisht në tension; ajo përshtatet, madje edhe me robërinë e saj.
E pra, sot kriza e demokratëve më shumë se politike, më duket psikologjike. Armiku më i madh i demokratëve nuk është Edi Rama, por dyshimi i fshehur se Edi Rama mund të kenë të drejtë. Ky dyshim nuk është organik; është i projektuar, i prodhuar nga makineria e zhurmës që nuk fle kurrë, qëllimi i së cilës është ta bëjë arsyen të ndihet naive dhe empatinë të ndihet e dobët.
Demokratët nuk kanë vdekur. Vetëm se atyre po u kërkohet, çdo ditë me këmbëngulje dhe profesionalizëm, të ndihen “kufoma”. Dhe tragjedia është se shumë demokratë ngatërrojnë jehonën me verdiktin.
Çdo të enjte ndërsa kritikët e opozitës i kryejnë kufomës funeralin, të tjerët përpiqen t’i zgjasin qiranë e morgut!
Çfarë rezultati i mirë për pushtetin autoritar i Ramës, i cili kështu ka prodhuar konsensus pa e fituar kurrë atë!







