Ilaçet janë një plagë e pambyllur për shqiptarët. Dhe jo vetëm për çmimet, por edhe për cilësinë e tyre. Pa folur për disa kompani farmaceutike që janë shpeshherë në qendër të kronikës së zezë. Zgjidhja nuk ka ardhur kurrë nga Ministria e Shëndetësisë, edhe pse ministrja e re, me petkun e “specialistes”, zhvillon tryeza me OJF-të për të gjetur zgjidhjen e një problemi që zanafillën e ka pikërisht tek interesat politike. Po të pyesësh sot çdo shqiptar që hyn e del nga farmacitë, shqetësimet janë thuajse identike: barnat janë të shtrenjta, ndërsa ato që kushtojnë më pak dhe janë të rimbursueshme, nuk bëjnë asnjë efekt.
Në këtë realitet të zymtë, Ministria e Shëndetësisë duket se vazhdon të organizojë takime me “ton bashkëpunues” dhe deklarata për reformim të sistemit farmaceutik. Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, zhvilloi një takim me Unionin e Biznesit të Farmaceutikës, ku theksoi nevojën për “angazhim të përbashkët për garantimin e aksesit të sigurt dhe të kontrolluar në barna”.
Sipas saj, ngritja e një grupi pune do të analizojë dhe përmirësojë sektorin e farmaceutikës për të forcuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Sala foli për “mjedis transparent dhe të parashikueshëm”, për “biznese partnere të barabarta” dhe për “tolerancë zero ndaj abuzuesve”.
Por ndërsa ministrja flet për transparencë dhe bashkëpunim, qytetarët përballen çdo ditë me barnat që ndryshojnë emër, paketim, origjinë – dhe shpesh pa asnjë efekt mjekësor. Ndërsa farmacitë vazhdojnë të jenë arenë abuzimesh me çmime, importet farmaceutike dhe rrjeti i kompanive që dominojnë tregun mbeten jashtë çdo kontrolli real institucional./vna







