Ballina Opinion Drejtësia prej gjyqtarit të vrarë te kryetari i KLGJ-së

Drejtësia prej gjyqtarit të vrarë te kryetari i KLGJ-së

81
0

Nga Luan Rama

Ende nuk arrij të kuptoj se si ia doli Fatmir Xhafaj, dhe bashkë me të edhe Ulsi Manja, që duruan pa e përzënë nga salla Kryetarin e KLGJ-së (Këshilli i Lartë Gjyqësor), i cili vetëm pak ditë pasi gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit në momentin solemn të shpalljes së vendimit në Emër të Republikës, në mënyrën më cinike të mundshme, kur duhej të ngrinte në këmbë gjithë Kuvendin e Republikës për gjendjen skandaloze të kushteve të punës dhe të sigurisë në Gjykatës së Apelit në Tiranë, iu mbroçkulliste deputetëve histori me aksidente në punë, a thua se gjyqtarit të ndjerë i shkau këmba nëpër shkallët e gjykatës dhe humbi jetën aksidentalisht!

Edhe pse nuk e njoh nga afër këtë pedagogun e të drejtës së punës, nuk dua ta mendoj se ai zgjodhi me dashje të gjente paralele mes vrasjes kriminale në krye të detyrës të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja dhe humbjes së babait të tij nga një aksident në punë. Kjo do të ishte jashtë çdo norme e ndjesie njerëzore dhe poshtëruese për gjyqtarin e vrarë.

Por, mënyra se si Kryetari i KLGJ-së foli para deputetëve, arsyetimi i çalë profesionalisht dhe i mangët intelektualisht, mjerisht i lajthitur në strukturën morfologjike e sintaksore të fjalive, e bënë paraqitjen e tij para komisioneve të Kuvendit të Republikës qesharake për atë vetë dhe fyese për deputetët.

Plumbat e vrasësit në sallën e gjyqit i morën jetën gjyqtarit.

Por, bashkë me gjyqtarin, vrasësi “vrau” edhe vetë sistemin e dhënies së drejtësisë.

Paradoksalisht, kryetari i KLGJ-së, me gjithë sa tha në raportimin para deputetëve, na dëshmoi se nuk ka kuptuar asgjë, por asgjë fare nga ngjarja e rëndë kriminale. Ndryshe nuk do të kalamendej fjalësh e fjalish pa lidhje për humbjen e jetës prej aksidenteve në punë.

Vrasësi more kryetari pedagog i KLGJ-së, mund ta vriste kur të donte dhe ku të donte të ndjerin Astrit Kalaja.

Mund ta vriste sapo të dilte nga gjykata apo rrugës teksa shkonte me biçikletë për në shtëpi. Mund ta vriste pranë pallatit ku banonte apo teksa shëtiste mbrëmjeve me gruan qark shtëpisë së tij.

Por ai, vrasësi, zgjodhi të vrasë brenda në gjykatë e mu në sallën e gjyqit more zoti kryetar i KLGJ-së, sepse bashkë me plumbat që i morën jetën gjyqtarit ai donte të transmetonte edhe nje mesazh; mesazhin e “plumbave” mbi gjykatën dhe gjykatësit e sistemit të drejtësisë!

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, është akt terrori në sallën e gjyqit, është vrasje për shkak të detyrës. Ta trajtosh këtë ngjarje të rëndë kriminale si aksident të rëndomtë në punë e të shprehesh para deputetëve ashtu siç u shpreh Kryetari i KLGJ-së, citoj: “Fatet njerëzore shkojnë në një pikë edhe me fatet institucionale, për faktin sepse edhe unë vite më parë e kam humbur babain në aksident në punë… dhe ja që ndodh të jesh në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të kesh një përsëritje të tillë”, do të thotë të jesh tërësisht, por tërësisht në erë e të mos ia kesh idenë se ku dallon aksidenti në punë nga krimi i vrasjes në krye të detyrës!

Mungesa e një analize të detajuar dhe me përgjegjësi maksimale për ngjarjen, ç’ka nuk u reflektua në raportimin e kryetarit të KLGJ-së para deputetëve, arsyet se përse Gjykata e Apelit të Tiranë nuk plotëson as kushtet më minimale për të garantuar sigurinë dhe një mjedis normal pune apo mungesa e reflektimit për hartën e gabuar gjyqësore dhe dëmet që ajo i ka shkaktuar sistemit, afateve të gjykimit, aksesit tek drejtësia etj, janë dëshmia reale e nivelit të institucioneve që krijoi reforma në drejtësi.

Ndaj, nëse u shpreha në krye të këtyre rradhëve se nuk arrij të kuptoj se si ia doli Fatmir Xhafaj, dhe bashkë me të edhe Ulsi Manja, që duruan pa e përzënë nga salla Kryetarin e KLGJ-së, nuk e kam këtë qasje në kuptimin metaforik.

E kam në kuptimin real.

Drejtues të tillë që nuk e kuptojnë përgjegjësinë e detyrës që kryejnë, që nuk e vlerësojnë me seriozitet procesin e informimit apo të llogaridhënies në Kuvendin e Republikës apo që shkojnë atje të papërgatitur e detyrohen të improvizojnë fjali të pakuptimta, duhen përzënë.

Ata e kanë kompromentuar reformën në drejtësi dhe e kundërvënë sistemin me qytetarin. Gjendja është në nivele skandaloze, besueshmëria tek sistemi është në rënie alarmante.

Mjafton të sjellim në vëmendje mijëra komente nga qytetarë të çfarëdoshëm që pushtun rrjetet sociale pas vrasjes së të ndjerit Astrit Kalaja, për të kuptuar drejtësinë që ka prodhuar reforma në drejtësi.

KLGJ apo KLP, qeveria apo Kuvendi mund të vazhdojnë të kënaqen me sukseset e reformës në drejtësi. E vërteta është për marre e për faqe të zezë. Për ta njohur këtë të vërtetë, mjafton të shohim drejtësinë prej gjyqtarit të vrarë deri tek Kryetari i KLGJ-së.

Gjithë çfarë ofron sistemi, megjithëse kanë kaluar nëntë vjet që prej kur nisi reforma në drejtësi, është mosbesimi dhe pasiguria e qytetarëve tek drejtësia, është kaosi dhe mungesa e bashkëveprimit dhe e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbi të gjitha, mungesa e përgjegjësisë për të reflektuar.