Nga Ermal Peçi
Në fund të fundit, duket se fati i Edi Ramës është më i lidhur me Sali Berishën sesa me gjithë “bashkëpunëtorët” e tij të afërt. Një ironi e madhe e fatit politik: nga njëra anë, Rama u ngrit duke u betuar se do ta shkatërronte “sistemin Berisha”, ndërsa sot duket sikur pikërisht Berisha është i vetmi që e mban në këmbë. Koha po tregon se të gjithë të tjerët janë ose në dyert e SPAK-ut, ose në listën e pritjes.
Nga Tahiri te Beqaj, nga Ahmetaj te Veliaj, dhe së fundmi te Belinda Balluku, të gjithë ata që e ndërtuan pushtetin e Ramës, sot janë bërë dosje. SPAK-u nuk kursen asnjë njeri të tij, por duket se kursen vetëmBerishën, me të cilin Rama ka hyrë në një lloj “pajtimi të heshtur”. Tani, pas çdo zhvillimi të ri në drejtësi, mbetet e qartë: nga “Rilindja” e madhe, ka mbetur vetëm një ortak i vjetër politik, ai që dikur e mallkonte, por që sot i shërben si oksigjen për të mbajtur në jetë sistemin e vjetër të përbashkët.
E vërteta është e thjeshtë: pa Berishën, Rama nuk ka më as armik për t’u fshehur pas, as justifikim për pushtetin e vet të zgjatur. Berisha është fasada e fundit që i jep Ramës një lloj balanci artificial, një opozitë të kontrolluar, një “armik” të përjetshëm që në fakt e mban në pushtet. Janë si dy kolonat e një ndërtese të kalbur që rrinë në këmbë vetëm sepse mbështeten tek njëra-tjetra. Po u shemb njëra, bie e gjithë godina.
Sot Rama nuk e ka më luksin të flasë për “rilindje”, për “të ardhmen” apo për “drejtësinë që nuk po funksionon”. Drejtësia po funksionon, po jo për ta shpëtuar atë, por për ta rrethuar ngadalë dhe kur rrethi mbyllet, i vetmi që mund ta mbrojë nga shembja totale është pikërisht ai që e akuzonte për çdo të keqe të vendit: Sali Berisha.
Në politikën shqiptare ndoshta s’ka më parti, as ideologji, ka vetëm interesa të mbijetesës. Në këtë mbijetesë, Edi Ramës sot i ka mbetur vetëm një aleat i pavullnetshëm: Berisha. Ironikisht, i vetmi njeri që, nëse bie, bie edhe ai vetë.
Kështu që ndoshta pyetja e vërtetë nuk është më “kur do ta rrëzojë Berisha Ramën?”, por “kur do ta marrë me vete?”.
Në fund të fundit, pas gjithë këtyre viteve pushtet, SPAK, dosjeve voluminoze, fasadave europiane e fjalëve boshe, Edi Ramës i ka ngelur vetëm Berisha. Ndoshta ky është dhe ndëshkimi më i madh që mund t’i jepte politika shqiptare.







