Ballina Dossier Gaqo Spiru, aktori i madh që i dha jetë teatrit të Durrësit...

Gaqo Spiru, aktori i madh që i dha jetë teatrit të Durrësit dhe frymë kinematografisë shqiptare

103
0

Bulevard news*

Gaqo Spiru aktor i shquar shqiptar, ka lindur në Durrës më 18 maj 1927 dhe është ndarë nga jeta më 22 tetor 2002.

Shumë ndodhi, ngjarje e personazhe me kalimin e viteve vinë e bëhen më pranë nesh, më të adhuruara, më shprehëse. Kështu ndodh edhe me aktorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Gaqo Spiru.  Personazhi ynë gjason me një anije e cila është nisur nga brigjet për të lundruar në det të hapur. Sa më larg në horizont shfaqet anija, aq më ndjellëse dhe madhështore duken. Edhe personazhi ynë Gaqo sa më shumë vite kalojnë nga ikja, aq më pranë vjen në kujtesën e artdashësve. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Debatikasi në vitet e Luftës Çlirimtare e gjeti veten që në fëmijëri në rradhët e djemve të prirur për art. Fillimisht në klubet dhe grupimet amatore e më pas në ato profesioniste për të lënë gjurmë shumë të forta si në teatër edhe në kinematografinë shqiptare. Falë seriozitetit dhe dhuntive prej artisti Gaqo Spiru pati fatin të lozë përkrah aktorëve të mëdhenj shqiptarë në teatër e në film si: Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Spiro Urumi, Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Sandër Prosi, Ilia Shyti, Lazer Filipi, Pandi Raidhi, Robert Ndrenika, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka…Çdokush nga brezat do e vlerësonte fat në jetën e tij nëse do të mund të kishte të fiksuar një fotot me këto figura të mëdha të artit, ndërkohë që arti dhe artistët në Durrës e patën këtë fat të kenë në mesin e kësaj plejade edhe Gaqon me rolet e tij të spikatuara dhe interpretimin mjeshtëror.

Pak nga jeta

Jorgji Spiru, i njohur gjithandej dhe gjithë jetën me emrin Gaqo, u lind në Durrës në vitin 1927. Familja qe vendosur në lagjen “Kala” dhe para Çlirimit është marrë me tregti. Gjyshi bënte tregti me Barin e Italisë dhe me tregtarë grekë, kryesisht në Selanik. Në Durrës pati magazinë e dyqan duke krijuar kësisoji ekonomi të pavarur dhe jetesë normale. Gaqo ishte vetëm 8 vjeç kur humb të atin, Jovanin, ndërkohë që në krah të tij do të vendoset e ëma, Erifili, e cila sakrifikoi jo pak për ta rritur dhe edukuar. Asokohe në Shqipëri kishte filluar të ndihej e fortë lëvizja për çlirimin e vendit dhe të parët që e ndienin ishin familjet nacionaliste dhe atdhetare. Teksa vijon shkollën fillore në qytetin e lindjes, Gaqo bie në kontakt me lëvizjen kundër pushtimit italian. Si të gjithë bashkëmoshatarët e pret me jo pak indinjatë pushtimin e huaj ndaj bëhet anëtar dhe më pas një nga krerët kryesore të DEBATI-ut. Për shkak të pjesmarrjes në shumë aksione, bie në sy të xhandarmërisë dhe kjo e detyron të kalojë në rradhët e brigadës çlirimtare të Matit. Që këndej në rradhët e Brigadës 23 sulmuese, formacionet e së cilës luftuan për çlirimin e trojeve në Krujë, Dajt e Shkodër. Spiru krijoi miqësi të ngushtë me bashkëluftëtarët Xhemal Kacani, Hatixhe Katro, Mileva Pema, Eleni Mandi, Iliaz Reka, Idriz Hoxha, Xhaferr Qesja, Nasi Driza, Naxhi Xherahu…Me Çlirimin e vendit bëhet pjesë e të rinjve që drejtojnë kurse kundër analfabetizmit, ndërkohë që vet nuk i ndahet leximit, studimit dhe aktrimit. Gaqo krijon personalitetin e tij në saj të karakterit të fortë, ndërgjegjes së pastër dhe përkushtimit. Për shkak të pasionit të veçantë bëhet ndër të parët aktor amator në teatrin e Durrësit, tek kinema “14 nëntori”. Njëherësh vijon studimet e larta në Fakultetin Histori-Gjeografi. Gaqo Spiru i përket plejadës së parë të aktorëve që themeluan teatrin profesionist në Durrës. Me 11 janar 1953 vihet në skenë komedia e parë “Vajza nga fshati”, ndërkohë që me themelimin e teatrit, më 8 shkurt 1964 vendoset në anën e krijuesve të trupës profesioniste.  Teatri fillimisht e më pas filmi do të krijojnë personalitetin e fortë të këtij aktori, emri i të cilit do të qëndrojë në listën e më të mirëve aktorë shqiptarë. Për shkak të pjekurisë, të ndihmesës së drejtpërdrejtë në çlirimin e vendit dhe meritave profesionale, Gaqo Spiru emërohet në vitin 1968 drejtor i teatrit “Alekssandër Moisiu”. Qëndrimi i tij në këtë post të vështirë i jep shtytje të madhe ecjes së estradës dhe teatrit. Falë mbështetjes dhe inkurajimit të tij u bë e mundur kapja e rekordit, përgatitja brenda  12-13 ditëve e shfaqjes së premierës. Pikërisht në këtë periudhë, e cila përkon me prurjet e reja të artistëve që vinin nga Instituti i Lartë i Arteve, emri teatrit dhe estradës së Durrësit sa vjen dhe bëhet më i dëgjuar. Rreth kësaj trupe qëndronin emra të niveleve kombëtare, ndërkohë që turnetë në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi në vitin 1973 ia zgjerojnë gjeografikisht famën. Gaqo Spiru la gjurmë të forta edhe në kohën që shërbeu si shef i kulturës në komitetin ekzekutiv me inkurajimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e artistëve. Piktura, skulptura, estrada dhe teatri morën fizionominë dhe mbështetjen e plotë. Përvojë më vete në jetën e tij do të jetë periudha e qëndrimit si pjesë e ekuipazhit të anijes “Durrësi”. Kjo i dha mundësi të shëtisë në shumë porte të Botës, në një kohë që bëri gjetje të ndryshme për të argëtuar marinarët në udhëtimet e gjata. Kështu, falë edhe njohjes së veçantë që kishte krijuar me drejtues të kinostudios, mori që andej kaseta filmi të cilat i shfaqte në bazë të një programi brenda në anije. Kjo argëtonte pa masë marinarët të cilët e ndienin thellë mungesën e familjes me muaj të tërë në udhëtimet përtej Adriatiku. Ndërkohë Gaqo, përmes kësaj gjetje u bë shumë miqësor me ekuipazhin që kalonte të 45 marinarët. Edhe pse jeta e aktorit Gaqo Spiru ka qenë e ngarkuar me punë, ai ka mundur të gjejë kohë edhe për familjen. Djali Ivo, i cili trashëgon emrin e të atit të aktorit dhe vajzat Keti e Ilirjana kanë shijuar gjatë kënaqësinë që afron prindi teksa merr duartrokitje të pareshtuara në skenë. Sapo i krijohej mundësia më e vogël mblidhej me fëmijët dhe aty sajonte lojra e biseda të cilat jo vetëm argëtonin, por edhe edukonin fëmijët. Spiru nuk e pëlqeu kurrë pijen, ndaj nuk rrinte gjatë në lokale. Kjo i dha mundësi të shfrytëzojë kohën për t’u përgatitur, për të shkruar pjesë të ndryshme ngase veç aktorit në teatër e në kinema, tjetër prirje e tij qe edhe regjisura.

Artisti

Daljen në publik si aktor e nisi që në moshë fare të vogël. Fillimisht në grupet amatore të krijuara pas Çlirimit të vendit. Aty u shfaq prirja e tij për t’u bërë artist profesionist. Jeta artistike e Gaqo Spiru qëndron mes aktorit të teatrit dhe atij të filmit. Durrësi është qyteti që i dha jetë dhe lavdi emrit të tij. Sa herë që vjen koha për të shikuar pas dhe për të matur rrugën e përshkuar të artit në Durrës që nga koha e hapave të parë të ngritjes dhe konsolidimit të trupës profesioniste, mendja dhe sytë shkojnë tek emrat më të dashur për të gjithë: Nikolin e Meropi Xhoja, Spiro e Vera Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, Vangjel Heba, Gaqo Spiru,Gjergj Vlashi, Lutfi Hoxha… Janë ata që jo vetëm e ngritën trupën profesioniste, por edhe bënë mrekulli në skenën e estradës dhe të teatrit. Miqtë më të afërt të Gaqos kanë qenë Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Anastas Bojaxhiu (profesori i parë në Durrës), Marta Burda, Lazer Murati, Kadri Pirro, Todi Thanasi, Milto Profi për të vazdhuar me estradën dhe me emrat e Ramazan Njalës, Spiro Stratit, Aleksandër pepës, Enver Likmetës… Dhjetra role të lozura prej tij në teatër. Në shumë prej tyre në role kryesore. Arkiva e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka dhjetra foto në të cilat fiksohet artisti në skenë. Dalja e parë e tij si aktor i nivelit profesionist i përket vitit 1953 “Vajza nga fshati” me rolin e Palit. Asokohe Spiru ishte 25 vjeç. Kishte kaluar provë pas prove me trupën amatore. Njëra pas tjetrës vinë “Dasma e madhe”, “Shkarkuesi i parë”, “Dreqnit e Kënetës”, “Dredhitë e Skapenit”, “Ljubov Jarovaja”, “Kërkuesit e lumturisë”, “Çështja Ivanov”, “Biri i humbur”, “Nota zero në sjellje”, “Sëmundje e rrezikshme”, “E deleguemja”, “Votra e huaj”, “Ata u rritën në luftë”, “Ndalesa e fundit”, “Shufra e hekurt”, “Invadimi”, “Jashtë bie shi”, “Hijet e natës”, “Rrugë të tërthorta”, “Pulëbardha. Role nga më të larmishmet të cilat u luajtën me mjeshtëri të rrallë. Teatri arriti të jepte 5 e 6 premira në vit, ndërsa trupa e estradës po bënte revolucion në anën tjetër duke e vendosur qytetin e Durrësit në epiqendër të aktiviteteve kulturore kombëtare. Temat ishin të larmishme. Shumë prej tyre kishin në qendër luftën për çlirim. Të tjerat edukimin qytetar, depërtimin e moralit të ri, luftën kudër paragjykimeve, emancipimi femrës, roli rinisë, jeta në fshat, ngritja e kantiereve…Për shkak të kulturës së lartë në interpretim Gaqo Spiru u zgjodh për t’u bërë pjesë e trupave ne realizimin e disa filmave. Kështu emri tij spikat në rolet kryesore në disa prej tyre si tek “Toka jonë” me figurën e Metit; “Detyra e posaçme” me rolin e nënkolonelit; Petro motoristi në “Horizonte të hapura”; gazetari “Përse bie kjo daulle”; organizatori i grupit në burg “Njësitë guerile”; “Nusja dhe shtetrrethimi”… Pikërisht në këtë periudhë që nis në vitet 1963 dhe shtrihet për dy dekada do të ketë fatin të lozë përkrah ikonave të kinematografisë shqiptare, përkrah aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave si: Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Sandër Porsi, Ndrek Luca, Pjetër Gjoka, Ilia Shyti, Lazer Filipi, Pandi Raidhi, Dhimitër Orgocka, Robert Ndrenika, Nikolin Xhoja, Sulejman Pitarka, Vangjel Heba…Aktori nga Durrësi bëhet figurë shumë e adhuruar. Regjisorët dhe aktorët panë tek Spiru personazhin e shkrirë plotësisht dhe qetë e pastër në rol. Ky lloj mishërimi bëri që atij t’i besohen role shumë të veçanta si në rastin e metit tek “Toka jonë”, nënkolonelit tek “Detyra e posaçme” etj.  Kolegët ruajnë mbresa të jashtëzakonshme për të në ditët e xhirimeve. Gaqo kishte aftësi të sfidonte çdo gjë: rolin e vështirë, motin e keq, pagjumësinë, lodhjen… Nuk ankohej asnjëherë. Rolin e merrte shtruar dhe me vullnet duke depërtuar shumë shpejt brenda karakterit të personazhit. Fakti se Spiru e nisi karrierën artistike në teatër, i dha mundësi të shumta për t’u përshtatur pa shumë vështirësi në rolin e aktorit të filmit. Mjeshtëria për të aktruar në skenë qe një shans e fat më shumë për të. Kjo e bëri emrin e tij simpatik dhe të adhuruar tek regjisorët dhe aktorët. Loja përkrah Marie Logorecit e cila tek “Toka jonë” qe Lokja, apo në krah të Ndrek Lucës, Sandër Posit tek “Detyrë e posaçme” ishte shkollë më vete për aktorin e Durrësit. Gjithnjë energjik, i saktë, i palidhur dhe emocionues, rol pas roli.

Gjergj Vlashi, Mjeshër i madh

Vlerësimi figurës së Gaqo Spiru duhet bërë duke parë në tre planë: si aktor teatri, si aktor filmi dhe si drejtues i teatrit “Aleksandër Moisiu”. Të gjitha janë të lidhura mes tyre se e tillë qe edhe jeta e aktiviteti i aktorit. Duke qenë një artist shumë i mirë, u shfaq edhe si drejtues i tillë. Përgjithësisht realiteti shqiptarë, zyrat dhe administratat tona, kanë vuajtur ndër vite nga inkopetenca e njerëzve që drejtojnë. Gaqo ishte ndryshe, qe shumë kompetent dhe kjo ia rrit vlerat vet figurës së tij dhe trupës së teatrit. E kam njohu Gaqon para se të themelohej teatri profesionist. Ishte me grupet amatore. Më bënte përshtypje thjeshtësia e lojës së tij. Vlera ka edhe në kinematografi. Lidhja mes teatrit e filmit është disi e ndryshme. Aktori i filmit vuan nga mungesa e teatralitetit. Gaqo ishte mjaft i përshtatshëm në të dyja rastet. Vendoste raporte shumë të drejtpërdrejta me shikuesin ndaj adhurohej shumë. Kur isha regjisor në teatër përpiqesha që të mos shfaqesha si i tillë, ndërkohë që edhe Gaqo si drejtor bënte të njëjtën gjë, për të mos u shfaqur si drejtor. Na interesonte shkrirja me trupën. Kjo i ka dhënë teatrit shumë vlera dhe suksese. Gaqo kishte aftësi të veçanta në kapërcimin e situatave të vështira që krijoheshin brenda trupës dhe këtë e bënte me një zgjuarësi të rrallë. Loja e thjeshtë si aktor dhe drejtimi institucionit me pastërti janë tipare të tij që na kanë bërë të ndihemi mirë të gjithë. Për fatin e tij i jepeshin role që kërkonin anën njerëzore të përsonazheve pavarësisht pozitës zyrtare dhe me përkushtimin e një aktori të mrekullueshëm ka arritur mrekullisht t’i dalë mbanë.

Aishe Stari Mjeshtre e madhe

Gaqo Spiru ka qenë shumë aktiv si aktor dhe qytetar. E njoha sapo përfundova studimet e larta në art. Trupa e Durrësit na pritën shumë mirë. Gaqo qe aktor i ngrohtë, i aftë, dashamirës. Ishim katër vajza që patën kryer Artet: unë, Filika Domo, Donika Barçi dhe Luixhina Leka. Ishim të reja dhe kishim nevojë për mbështetje, për kurajo. Tek Gaqo gjetëm aktorin e pjekur, mikun dhe shokun e mirë që na përkrahu në rrugën e skenës. Gaqo bën pjesë tek trupa e aktorëve që e ka justifikuar shumë mirë rolet. Sot, duke kujtuar pjesët e lozura nga miku ynë Gaqo në teatër e në film, çmallem, ashtu  si dhe me Vangjelin, Nikolinin e të tjerë. Gaqo qe për shumë kohë drejtor teatri, detyrë shumë e vështirë. Në teatër është sakrificë e madhe të drejtosh. Aktorët kanë pretendime pa fund. Me qetësi dhe urtësi i zgjidhte të gjitha. Një grup aktorësh kishim edhe hyrja-dalje familjare. Kështu që së bashku, shkonim orë e pa orë në shtëpinë e Gaqos. Këtë miqësi e shfrytëzuam shumë për të diskutuar për skenën, estradën, teatrin, tematikat, rolet. Shkonim shumë mirë dhe kjo harmoni i dedikohet edhe Gaqos që diti të na orientojë me qartësinë e mendimeve të tij.

Lutfi Hoxha, Mjeshtër i madh                                                                                                

Në kontributin për themelimin e teatrit si trupë profesioniste Gaqo Spiru është një gur i çmuar. Vlerat e tij fillojnë përpara se të krijohej teatri profesionist.Në atë kohë shumë të rinj të qytetit, ku ndër këta ishte dhe Gaqo krijuan grupet diletante të teatrove.Ata jepnin shfaqje dhe konkuronin edhe me trupa të ndryshme që ishin krijuar në atë kohë. Me këtë grup amator këta fituan për katër vjet rradhazi vendin e parë. Duke parë që trupa amatore kishte elementë të mrekullushëm u vendos që me 11 janar 1953 të krijohej trupa profesioniste dhe teatri “Aleksander Moisiu” i qytetit të Durrësit,  ku pjesë e saj do të ishte dhe Gaqo Spiru. Unë e njihja Gaqon si aktor, kurse ai mua më njihte se nga cila familje rridhja.  Gaqon e shoh në dy pamje. E para si aktor dhe e dyta si drejtues.Po filloj me të dytën. Ai kishte vlera të padiskutushme organizative. Ishte shumë i qartë në ato që kërkonte dhe kjo e bënte të ishte shumë rigoroz. Në atë kohë trupa e qytetit përveç pjesëve me autor shqiptar vuri dhe shumë pjesë të autorëvë të huaj ku pati shumë sukses.Shfaqjet përveç se në Durrës, jepeshin dhe në rrethe të ndyshme të vendit ku trupa korrte sukses të padiskutueshme. Për Gaqon si aktor mund të flasësh shumë. Për të qenë një aktor i mirë duhen disa veçori të domosdoshme. Këto veti Gaqo i kishte. Që nga aktrimi apo zëri i kumbushëm dhe me diksion të bënte që të kishe dëshirë ta ndëgjoje. Është fati i keq që në atë kohë këto shfaqje nuk u filmuan, por Gaqo pati fatin e mirë që luajti në shumë filma të Kinematografisë sonë të atyre viteve. Si aktor i kompletuar ai kërkohej nga rregjisorë të ndryshëm për të luajtur në filma që padyshim nuk janë të paktë. Duke qenë me një portret ekspresiv dhe me një dinamikë të paparë në veprime ai i shtonte vlera pjesës që interpretonte. Luajti shumë role në pjesë të ndryshme, por më i spikaturi është tek pjesa “Prapa mureve” si dh tek  “Votra e huaj”. Gaqon e vlerësoj edhe për vlerat njerëzore të një njeriu shumë të mirë, të dashur, komunikues dhe padyshim si një familjar i mrekullushëm.

Koci Risilia, piktor

Shoh ekspozita pikture që hapen në Durrës dhe kujtoj kohën që kam qenë piktor në galerinë e arteve. Aty kam filluar punë në janarin e vitit 1968. Jam ndier shumë i lumtur dhe i vlerësuar kur më dhanë një studio pune. Kjo ndodhi në vitin 1973, në kohën që shef për artet dhe kulturën ishte Gaqo Spiru. Ai e vlerësonte shumë talentin se ishte realisht vet i talentuar si aktor. Inkurajonte këdo që kishte dhunti e pasion për artin. Në saj të ndikimit të Gaqos, në galerinë e arteve filloi të funksionojë rregullisht stimuli moral dhe material, vlerësimet dhe blerja e veprave të artit. Është i veçantë kontributi i tij në përkrahjen e artistëve të rinj, amatorë e profesionistë. Nuk bënte kurrë dallime origjine e krahine. Ishte novator e kurajoz. Qe gjithnjë i drejtë, tolerant, bujar dhe novator në art dhe në drejtim.

Xhemal Kacani, kryetar i veteraneve të Luftës Çlirimtare

Gaqo Spiru rridhte nga familje e nderuar qytetëse. Mbeti jetim shumë i vogël dhe u rrit nën kujdesin e nënës. Në kohën e pushtimit fashist të vendit Gaqo u aktivizua në shoqërinë sportive BEF që drejtohej nga Met Ujka dhe Iliaz Reka. Më pas iu besua të drejtonte organizatën DEBATIK-u në Durrës dhe pasi dekonspirohet shkon partizan në çetën e Matit. Gjatë operacioneve luftarake në dimrin e vitit 1994 për shkak të dëborës së madhe sëmurët dhe shtrohet në spital. Pas çlirimit ka kryer me dinjitet funksione politike, ndërsa përzgjidhet për të marrë pjesë në teatrin amator. Gaqo qe sa i vërtetë, aq edhe aktor artist në interpretim. Është ndër pesë aktorët më të mirë të kinomatografisë shqiptare të viteve 1960-1970. Rezultate shumë të mira pati edhe gjatë kohës që ishte drejtor i teatrit të Durrësit dhe shef për kulturën. Teatri në kohën që drejtohej nga Gaqo qe rekord në Shqipëri për numrin e premierave teatrale dhe në estrada.

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, gazetari që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!