Është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme kërkesa e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për lirim nga qelia.
Pak ditë më parë, Koka dorëzoi kërkesë për lirim nga qelia dhe shuarjen e masës “Arrest me burg”.
Koka argumenton se dënimin për inceneratorin e Tiranës e ka ezauruar në paraburgim pasi prej tre vitesh qëndron në qeli. Koka u dënua me 3 vite burg për inceneratorin e Tiranës më 16 prill 2025.
Lefter Koka ka fituar liri me kusht për inceneratorin e Elbasanit nga Gjykata e Durrësit, por nuk u lirua sepse kishte vepra të tjera penale.
Më 21 tetor 2025, Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim dosjen e inceneratorit të Fierit, ku të pandehur kryesorë janë ish-ministri i mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako. Pas shqyrtimit të çështjes në Dhomë Këshillimi, vendimi i dhënë nga Apeli në 19 dhjetor 2024 u shfuqizua.
Ish-ministri u vu në pranga në dhjetor të vitit 2021 për dosjen e inceneratorit të Elbasanit me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe korrupsionit.







