Ballina Aktualitet Gjykata e Posaçme shqyrton masën e sigurisë për të dyshuarit e çështjes...

Gjykata e Posaçme shqyrton masën e sigurisë për të dyshuarit e çështjes “Bankers Petroleum”

151
0

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre personave të dyshuar në hetimet për çështjen “Bankers Petroleum”.

Dy shtetasit kinezë Hong Ping Xiao dhe Lianyl Wang, si dhe Leonidha Çobo, po përballen sot me gjykatën për vendimin mbi masën që do të kërkojë Prokuroria e Posaçme.

Dosja “Bankers” u hetua fillimisht nga Prokuroria e Fierit, por më pas u përcoll në SPAK për shkak të kompetencës, pasi gjatë hetimeve kanë dalë në pah të dhëna që përfshijnë persona me peshë në politikë dhe eksponentë të tjerë që janë në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas burimeve pranë organit të akuzës, fakti që të dyshuarit po dalin sot për masë sigurie tregon se SPAK e ka regjistruar zyrtarisht dosjen “Bankers” dhe ka kaluar në fazën e veprimeve konkrete hetimore.

“Bankers Petroleum” është një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të naftës në Shqipëri, me aktivitet të përqendruar në zonën e Patos-Marinzës. Kompania ka qenë ndër vite në qendër të disa hetimeve për shfrytëzimin e burimeve natyrore, ndotjen e mjedisit dhe raportimet fiskale.
Çështja aktuale nën hetim dyshohet se lidhet me kontrata të nëndërmarrjeve partnere, abuzime me fondet dhe korrupsion aktiv, ku janë përfshirë individë të lidhur me strukturat publike të sektorit të energjisë.