Nga Basir Çollaku
Belinda Balluku dhe dy shtetas turq do të ishin me masë sigurie arrest me burg. Kërkesat do të shkonin në Kuvend dhe gjykatë sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës. Por ende është një përpjekje për masë shtërnguese arrest shtëpie të numrit dy të qeverisë. Pronari i kompanisë turke të përfshirë në këtë investim, në këtë kontratë, është K.A., një ish-deputet i partisë së presidentit Erdoğan, me të njëjtin qytet lindjeje me të, dhe kjo e rrit ndjeshëm trysninë mbi çështjen.
Presioni i Ramës e zbuti kërkesën, ndryshoi përcaktimin?! Natyrisht kemi një ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Zëvendëskryeministrja do të ishte sot e pandehur dhe Parlamenti do të duhej të votonte dorëzimin e imunitetit, duke hapur rrugë prangosjes së saj.
Natyrisht, prangat tani janë me tendencë lart dhe Rama është duke fituar kohë personale për shumë zhvillime penale. Zyrtarë të ministrisë së Ballukut janë prej kohësh në qeli e në dëshmi. Dosjet janë të shumta. Tuneli i Llogarasë, ku janë edhe shtetasit turq në këtë çështje. Janë 12 miliardë euro tenderime infrastrukture, të cilat kalojnë në filtër hetimor. Aeroporti i Vlorës, Porti i Durrësit, termocentralet e Vlorës, Rruga e Arbrit, parqet fotovoltaike e shumë tendera në dyshime të mëdha abuzimesh janë çështjet ku duhet parë përgjegjësia e ministres.
A është një tolerancë si një nder i kthyer Prokurorisë ndaj motrës së ministres, Pamela Qirko, më herët drejtuese e KPK-së? Dora e saj mund të jetë në vendimet e SPAK. Ajo ka qenë pjesë e trupës së rivlerësimit edhe të prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Është vendimi nr. 23 me numër akti 34, datë 7 korrik 2018.
Ky është një incenerator jo funksional në duart e Edi Ramës. SPAK këtu ka edhe standardin e njëanshëm për masat e sigurisë. Nëse arrest me burg dhe arrest shtëpie janë për Metën, Berishën, Veliajn, Ahmetajn, Beqen, Kokën, por ndryshe për Ballukun, atëherë Struktura e Posaçme thjesht e ka lexuar vendimin, nuk e ka marrë vetë. Sigurisht edhe Gjykata e Posaçme duhet të gjendet nën të njëjtën përgjegjësi, nëse konstatimet thjesht noterizohen.
Në këto dosje të mëdha ka edhe aktorë të tjerë të pastrimit të parave — të parave të ardhura nga korrupsioni dhe trafiku i drogës. Çështja do të nxehet më tepër në javët e ardhshme. Të tjerë ministra janë me kokë nga Bela dhe nga Rama në rubrikën: Letra nga SPAK… Kush e ka radhën?!







