Shpendët elegantë me ngjyrë rozë i shtuan bukurinë liqenit të Pogradecit. Në këto ditë vjeshte, flamingot hijeshuan ujërat e liqenit duke u kthyer në një atraksion të veçantë për vizitorët.
Kushtet atmosferike të kombinuara me tërheqjen e ujit të liqenit, kanë krijuar minilaguna, ku tufat e flamingove pushojnë për 2-3 javë gjatë migrimit të tyre sezonal.
Ky vit ka shënuar numrin më të madh të flamingove të parë ndonjëherë në Liqenin e Pogradecit. Sipas ekspertëve të mjedisit, kjo është një sjellje e natyrshme e flamingove.
Flamingot vijnë nga pjesa jugore e Evropës, Turqia apo edhe veriu i Afrikës. Gjatë shtegtimit të tyre, ato vizitojnë zonat mesdhetare, përfshirë edhe detin Adriatik, Malin e Zi dhe Kroacinë.
Liqeni i Pogradecit është për to një stacion tranzit, ku flamingot qëndrojnë disa ditë, për t’u ushqyer dhe për të rifituar energji pas udhëtimit të gjatë.







