Financimi i armëve të shkatërrimit në masë do të përfshihet si koncept në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” në përputhje me standardet ndërkombëtare për luftën kundër kërcënimeve globale.
Projektligji, në konsultim publik, shton një pikë të re në nenin 2 të ligjit ekzistues, duke përcaktuar se “financimi i armëve të shkatërrimit në masë” nënkupton ofrimin e fondeve apo shërbimeve financiare që përdoren për prodhimin, përvetësimin, posedimin, zhvillimin, eksportin, ndërmjetësimin, transportin apo përdorimin e armëve bërthamore, kimike ose biologjike, si dhe materialeve të lidhura me to. Kjo dispozitë synon të mbulojë një boshllëk të rëndësishëm në legjislacionin aktual.
Organizatat jofitimprurëse në lupë
Projektligji synon të rrisë gjithashtu kontrollet mbi organizatat jofitimprurëse, të cilat tashmë konsiderohen me rrezik të lartë, duke forcuar monitorimin mbi to. Ndërkohë, institucionet financiare dhe organet përgjegjëse detyrohen të krijojnë sisteme të centralizuara për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, me përditësim të vazhdueshëm sipas kërkesave ligjore.
Aktualisht ligji parashikon që mbi organizatat jofitimprurëse zbatohet vigjilenca e zgjeruar sa u përket transaksioneve. Më konkretisht “Kur klientët janë organizata jofitimprurëse, subjektet duhet të sigurojnë informacion të plotë për burimet e financimit, veprimtarinë dhe mënyrën e administrimit; verifikojnë reputacionin e tyre përmes burimeve publike ose mjeteve të tjera; marrin miratimin nga organet më të larta drejtuese para krijimit të marrëdhënies së biznesit; zbatojnë monitorim të zgjeruar gjatë gjithë marrëdhënies”.
Shtesa për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe analizat strategjike
Projektligji parashikon që mekanizmat e bashkëpunimit të brendshëm të mund të zbatohen edhe në nivel ndërkombëtar, përmes një neni të ri, i cili mundëson shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin ndërkufitar për hetimet e veprimtarive kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale. Gjithashtu, në nenin 22 shtohet pika “ll/1”, që i jep Agjencisë së Inteligjencës Financiare kompetencën për të kryer analiza strategjike mbi bazën e të dhënave që mbledh nga autoritetet e tjera.
Vlerësimi Kombëtar i Rrezikut
Ndryshimi më i rëndësishëm është shtesa e nenit të ri 23/1, që fut në ligj konceptin e “Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut”. Ky vlerësim do të kryhet periodikisht nga Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, nën koordinimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare. Objektivi është të analizohen efektiviteti dhe frytshmëria e sistemit kombëtar në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Ligji kërkon që ky vlerësim të rishikohet çdo katër vjet dhe rezultatet t’i vihen në dispozicion autoriteteve kompetente dhe subjekteve raportuese, në mënyrë që të përmirësohen mekanizmat e mbikëqyrjes dhe zbatimit.
Me këto shtesa, projektligji synon të përforcojë rolin e institucioneve shqiptare në ruajtjen e integritetit financiar të vendit, si dhe përputhjen e legjislacionit kombëtar me standardet e reja të BE-së dhe të FATF (Financial Action Task Force).
Kjo ndërhyrje ligjore e vendos Shqipërinë në një pozicion më të fortë në luftën kundër financimit të aktiviteteve të rrezikshme globale, përfshirë edhe ato që lidhen me armët e shkatërrimit në masë. /ekofin.al







