Ballina Rajoni Nga DJ te kamarierë, 37 të arrestuar në Greqi/ Hiqeshin si fermerë...

Nga DJ te kamarierë, 37 të arrestuar në Greqi/ Hiqeshin si fermerë për të përfituar miliona euro nga fondet e BE-së

50
0

Policia greke ka zbuluar një prej skemave më të mëdha mashtruese të viteve të fundit, duke arrestuar 37 persona të dyshuar se janë shtirur si fermerë për të përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro nga fondet bujqësore të Bashkimit Evropian. Hetimet kanë zbuluar se një pjesë e të arrestuarve ishin DJ, kamarierë dhe persona me profesione të tjera që nuk kishin asnjë lidhje me bujqësinë, por që kishin përfituar subvencione përmes dokumenteve të falsifikuara dhe pronësive fiktive mbi toka dhe bagëti.

Zyrtarët e policisë greke, në një deklaratë për Financial Times, bënë të ditur se grupi i arrestuar ka përfituar rreth 20 milionë euro në subvencione gjatë periudhës 2018–2022, nëpërmjet rrjetit të mashtrimit që kishte përfshirë dhjetëra individë në të gjithë Greqinë.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e cila ka selinë në Luksemburg dhe është përgjegjëse për hetimin e krimeve që prekin fondet e BE-së, të dyshuarit pretendonin në mënyrë të rreme pronësi mbi tokë bujqësore dhe bagëti, duke përfituar subvencione përmes agjencisë shtetërore greke për pagesat bujqësore, OPEKEPE. EPPO njoftoi se deri tani janë identifikuar 324 persona të lidhur me rastin, të cilët kanë përfituar subvencione të BE-së përmes metodave mashtruese.

Hetuesit kanë zbuluar se grupi kriminal ka “përfituar nga boshllëqet procedurale” në sistemin e aplikimeve për ndihmat bujqësore dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara për të vërtetuar pronësi të rreme mbi tokë dhe bagëti. Disa nga të arrestuarit kishin deklaruar pronësi mbi kullota që nuk ekzistonin ose nuk ishin të përshtatshme për subvencione, ndërsa të tjerë kishin fryrë numrin e bagëtive për të rritur shumën e përfituar nga fondet evropiane.

Për të fshehur gjurmët financiare, të dyshuarit përdornin fatura fiktive, krijonin llogari të shumta bankare dhe përzienin paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme me të ardhura të ligjshme. Sipas EPPO, një pjesë e konsiderueshme e fondeve të përvetësuara është shpenzuar për mallra luksoze, udhëtime dhe automjete.

Rasti i fundit është pjesë e një hetimi më të gjerë të EPPO-s për keqpërdorimin e fondeve bujqësore të BE-së në Greqi, të shpërndara përmes OPEKEPE-së. Agjencia, e cila deri kohët e fundit shpërndante rreth 2.4 miliardë euro në vit për fermerët grekë, është përballur këtë vit me dy kontrolle të plotë nga autoritetet hetimore.

Pas zbulimit të mashtrimit, qeveria greke ka pezulluar të gjitha pagesat përmes OPEKEPE-së deri në përfundimin e hetimeve. Ndërkohë, Komisioni Evropian ka vendosur një gjobë prej 400 milionë eurosh ndaj Greqisë, duke argumentuar se mes viteve 2016 dhe 2023 ka pasur “dështime sistematike” në menaxhimin e fondeve bujqësore.

Në maj të këtij viti, EPPO kreu një kontroll të gjerë në selinë e OPEKEPE-së, ndërsa policia greke realizoi një tjetër kontroll në korrik, si pjesë e një hetimi paralel për abuzime financiare. Si rezultat, qeveria në Athinë ka njoftuar reforma të thella strukturore, përfshirë bashkimin e OPEKEPE-së me administratën tatimore, me qëllim forcimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Skandali, përveç dimensionit penal, ka tronditur edhe arenën politike të vendit. Parlamenti grek ka miratuar ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për të shqyrtuar punën e OPEKEPE-së dhe rastet e abuzimeve gjatë viteve të fundit. Deri më tani, një ministër kabineti dhe katër deputetë janë detyruar të japin dorëheqjen për shkak të lidhjeve të dyshuara me skandalin ose për shkak të presionit publik.

Komisioni Evropian ka reaguar duke shprehur “shqetësime serioze” mbi reformën e propozuar nga qeveria greke, duke e cilësuar atë si “jo plotësisht të kënaqshme” dhe duke i dhënë Athinës një afat deri më 4 nëntor për të dorëzuar një plan të rishikuar.