Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ishte dënuar me 29 vite burg si pjesë e një bande droge në Napoli. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra Armando Pjetri, si dhe shtetasi me inicialet A. H., 53 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
NJOFTIMI I POLICISE
Operacioni, nga DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së. I dënuar në Napoli, me 29 vjet burgim, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet 49-vjeçari. Arrestohet në flagrancë 53-vjeçari që strehonte në Kuçovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në këtë banesë u gjet një sasi Cannabisi. Si rezultat i një pune operacionale të mirorganizuar, të kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me DFPO-në, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, u finalizua operacioni “Rrjeta”.
Në kuadër të operacionit, u vunë në pranga:
-shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Armando Pjetri, 49 vjeç;
-shtetasi A. H., 53 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjykata e Apelit në Napoli e ka dënuar 49-vjeçarin, që strehohej nga 53-vjeçari, me 29 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Në banesën ku strehohej shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht, në lagjen “1 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Armando Pjetri, në Itali. Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.







