Ballina Europë Policia gjermane shkatërron një rrjet që shiste vepra të falsifikuara nga Picasso,...

Policia gjermane shkatërron një rrjet që shiste vepra të falsifikuara nga Picasso, Rembrandt, Modigliani dhe Frida Kahlo

68
0

Policia në Bavari ka sekuestruar dhjetëra vepra arti të falsifikuara, që mbajnë firmat e Pablo Picasso-s, Rembrandt-it dhe Frida Kahlo-s, gjatë një operacioni të gjerë të zhvilluar në Gjermani, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

Sipas autoriteteve bavareze, personi i dyshuar kryesor është një 77-vjeçar gjerman, i cili akuzohet për mashtrim, së bashku me 10 bashkëpunëtorë të tjerë. Njëri prej tyre, një 74-vjeçar gjerman, kishte përgatitur raporte ekspertësh të falsifikuara për të konfirmuar “autenticitetin” e veprave të rreme. Të dy janë liruar me kusht.

Hetimi nisi pasi i dyshuari kryesor tentoi të shiste dy piktura të prezantuara si origjinale të Picasso-s në tregun e artit. Më vonë, ai u përpoq të shiste edhe veprën “De Staalmeesters” (“Mjeshtrat e Shoqatës së Endësve”) të Rembrandt-it për 120 milionë franga zvicerane (rreth 130 milionë euro), ndonëse origjinali ruhet në Rijksmuseum të Amsterdamit.

Piktura e rreme ishte në pronësi të një gruaje 84-vjeçare zvicerane.

Operacioni ndërkombëtar

Më 15 tetor, policia zhvilloi bastisje të koordinuara në disa vende në Gjermani, Zvicër dhe Lihtenshtajn, duke sekuestruar një numër të madh veprash arti të dyshuara si të falsifikuara, dokumente, pajisje elektronike dhe të dhëna digjitale.

Sipas policisë bavareze, i dyshuari kryesor kishte tentuar të shiste 19 vepra të tjera të falsifikuara, të atribuara artistëve të njohur botërorë, për shuma që varionin nga 400 mijë deri në 14 milionë euro.

Ndër veprat e sekuestruara përfshiheshin edhe kopje të pikturave të Frida Kahlo-s, Peter Paul Rubens-it, Amedeo Modigliani-t dhe Juan Miró-s.