Ballina Bota Presidenti i Brazilit do të kandidojë për një mandat të katërt: Jam...

Presidenti i Brazilit do të kandidojë për një mandat të katërt: Jam 80-vjeç por kam energjinë e një 30-vjeçari

72
0

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka njoftuar se do të kandidojë për një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026.

Lula da Silva, i cili u rikthye në presidencë në vitin 2023 pasi mundi presidentin e ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, e konfirmoi vendimin e tij gjatë një fjalimi në kryeqytetin indonezian, Xhakarta.

“Jam pothuajse 80 vjeç, por mund të jeni të sigurt se kam të njëjtën energji që kisha kur isha 30 vjeç. Dhe do të kandidoj për një mandat të katërt në Brazil”, njoftoi Lula, i cili feston ditëlindjen të hënën.

Edhe pse i afrohet të 80-ave, Lula mbetet padyshim figura më me ndikim në të majtën braziliane, vëren Guardian, një pozicion që ish-udhëheqësi i sindikatës e ka gëzuar për 40 vitet e fundit.

Nëse zgjidhet, ai do të jetë 85 vjeç kur të përfundojë mandatin e tij të katërt dhe do të jetë bërë presidenti i vetëm i zgjedhur në mënyrë demokratike i Brazilit që ka kaluar 16 vjet në detyrë.

Fushata katastrofike e Joe Biden për vitin 2024, të cilën presidenti e braktisi në mes të një debati me Donald Trump, i ka lënë brazilianët të vënë në pikëpyetje vendimin e tetëdhjetëvjeçarit Lula për të kërkuar një mandat tjetër.

Por Fernando Morais, një biograf dhe mik i Lulës, këmbënguli se presidenti brazilian, i cili shkon në palestër, është në gjendje të shkëlqyer fizike dhe mendore. Në fakt, ai nuk ka pirë asnjë cigare që kur e la pasi mundi kancerin e fytit gati 15 vjet më parë.