Kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, u ndal sërish në gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit.
Sipas kryedemokratit, ndërkombëtarët e thanë fjalën e tyre përmes raportit, dhe tani është radha e opozitës për të dhënë verdiktin përmes protestave madhështore, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.
“Edhe një moment këtu. Asnjeri nuk mund të thotë se, kam lexuar raportin pa lexuar dhe fusnotat. Për të pasur idenë e plotë për raportin është kusht leximi i tij integral, përfshirë fusnotat.
Aty ju, pra në këtë tërësi, po të lexoni raportin e Bjellorusisë, afër Llukashenkos janë dhe sulmet ndaj Ramaduros në raport dhe për këtë kanë meritë të madhe. Për të mos u zgjatur. Vëzhguesit ndërkombëtarë, folën dhe e thanë fjalën e tyre. Është radha e shqiptarëve që të flasin dhe të thonë fjalën e tyre. Është radha jonë të flasim dhe të themi fjalën tonë. Të themi fjalën tonë në Tiranë, në Paris, Romë, Vjenë, Uashington, Berlin dhe në të gjithë botën”, tha Berisha.
Ky i fundit paralajmëroi atë që e konsideroi si protestën më të fuqishme që ka njohur vendi që nga vitet ’90, për votën e lirë.
“Çdo njeri që aspiron votën e lirë, tashmë ka një bazë frymëzuese në ligjin ndërkombëtar, në vendimin ndërkombëtar që është raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri.
Ndaj dhe pavarësisht nga vonesa e tij, por ai dha verdiktin e vet. Tani u takon shqiptarëve, na takon ne, i takon Opozitës të japë verdiktin e vet”, shtoi Berisha.







