Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të proshutës në supermarkete, pasi sipas tyre lidhen me mbi 50 mijë raste kanceri në zorrë
Një grup shkencëtarësh britanikë po kërkon ndalimin e përdorimit të nitriteve në prodhimin e proshutës dhe “bacon”, pasi këto kimikate janë lidhur me mbi 50,000 raste të kancerit të zorrës së trashë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas një analize të bazuar në të dhëna nga “Cancer Research UK dhe British Journal of Cancer”, rreth 5,400 raste të reja të kancerit çdo vit shkaktohen nga konsumimi i mishrave të përpunuar. Trajtimi i çdo pacienti i kushton sistemit shëndetësor rreth 59,000 paund, duke e çuar faturën totale të shëndetësisë në mbi 3 miliardë paund gjatë dekadës së fundit.
Nitritet përdoren për të ruajtur ngjyrën rozë dhe jetëgjatësinë e mishrave, por krijojnë substanca kancerogjene të quajtura nitrosamina. Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikoi produktet e tilla si “kancerogjene të grupit 1”, në të njëjtin nivel rreziku me duhanin dhe azbestin.
Profesor Chris Elliott nga Instituti për Sigurinë Ushqimore paralajmëron se qeveria britanike “nuk ka bërë pothuajse asgjë” për të ulur ekspozimin e qytetarëve ndaj këtyre substancave. Ai dhe kolegët e tij i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shëndetësisë, duke kërkuar ndalimin e nitriteve, paralajmërime të qarta në paketim dhe një plan afatgjatë për t’i zëvendësuar me alternativa të sigurta.
Aktualisht, mbi 90% e proshutës të shitur në Britani përmban nitrite, ndërsa variantet “pa kimikate” përbëjnë vetëm 10% të tregut.







