… Kemi lënë pas Kreshtën e Madhe e cila qëndron hijerëndë rrethuar me një tis të hollë mjegulle, ndërsa makinat tona rrëshqasin në rrugën e asfaltuar drejt Fushës së dikurshme të druve që shtrihej buzë prroit të Dibrrit. Aty mblidheshin drutë e gjithë krahinës nga Ndërmarrja Pyjore e Lezhës dhe pastaj shperndaheshin me kamiona në Lezhë, Durrës e më gjërë.
Jemi nisur për të festuar Shen Mëhillin në fshatin Fregën të komunës së Ungreit në rrethin e Lezhës. Me mua janë edhe djemtë e plakut të urtë Bardhok Mark Dedgjonaj, i njohur në këto anë për burrërinë që e karakterizonte, urtësinë, bujarinë dhe mirësinë që reflektonte, që së bashku me Prenën, një grua burrneshë dhe tipike mirditore lindën dhe rritën pesë fëmijë tre djem dhe dy vajza. Shtëpia e tyre, tashmë e braktisur, si qindra shtëpi në këtë zone, ndodhet në krye të fshatit të njohur Fregën, rrethuar me pisha, në mes të një lendine të bukur rrethuar me pemë të bollshme të llojëve të ndryshme.
Pikërisht këtu, Prendi, Leka dhe Tonini, i cili ka ardhur enkas nga Liverpuli ku jeton prej shumë vitesh, dëshirojnë që në këtë ditë të shenuar për fshatin e tyre, të krijojnë pak atmosfere festë, si dikur në kohët e mëparshme.
Dikur, kjo festë kremtohej me madhështi në këtë zone, megjithse gjendja ekonomike ishte tepër e vështirë dhe të ardhurat në kooperativë ishin tepër minimale, malësori kashnjetor nuk gjendej kurrë i papërgatitur sa i përket kuvendit dhe sofrës. Në periudhën e sundimit totalitarë, festat ishin të ndaluar, por fregnarësit dhe ungrejsit kishin gjetur një menyrë për t’a kremtuar festën e tyre, ndonse disa ditë më vonë. Me 25 tetor të vitit 1970 përfundoi elektrifikimi i vendit, atëhere banorët e zonës vendosën t’a kthenin në festë këtë ditë, pikërisht për të përkujtuar ditën e Shen Mëhillit. Kjo ditë, megjithse një vend tepër i vështirë malorë, festohej me madhështi. Vinin nga fshatra të tjera, Shkodra, Mirdita, Lezha e Kurbini dhe gjallëronin këtë trevë.
Dymbëdhjetë shekuj para erës sonë, filluan të duken qytetërimet e lashta në këtë zonë. Ungreji ka qenë qendër e njohur, model i qytetërimit ilir. Këtë e verteton më së miri eksistenca e Fushës Papërdhok në fshatin Kalur, që quhet edhe fusha e tumave të mëdha ilire, e cila ka tërhequr kohët e fundit vemendjen e arkeologëve tanë. Ndërsa në vitin1883, në malin e Kreshtës qe zhvilluar një nga betejat më të fuqishme mes forcave turke që ishin nisur për të nënshtruar Bajrakun e Dibrrit dhe forcave të organizuara të dheut të Dibrrit të udhëhequra nga Lukë Bajraktari i Kashnjetit, ku forcat turke paten pesuar disfatë të turpshme. Ndërkohë kemi mbërritur në qendër të Ungrejit, aty ku dikurë quhej Fusha e Mirë. Quhej kështu nga fshatarët e këtyre anëve, sepse fusha ishte vërtetë e bukur. Aty ndodhëshin spitali, materniteti, shkolla e mesme, qendra tregtare, menca, zyrat e kooperativës, libraria dhe diku në një cep të fushës, të rinjtë kishin ndërtuar edhe një kend sportiv, ku çdo natë mblidheshin dhe organizonin veprimtari të ndryshme sportive, sidomos futboll. Fatkeqësisht, tani nuk funksionon asgjë, veç një dyqani të vogël që perpiqet të plotësojë nevojat e zonës me produkte ushqimore. Prendi kujton periudhën kur pati punuar disa vite si mësues në shkollën e mesme. – Në vitin 2010, – na thotë Ai, – në këtë shkollë frekuentonin rreth 130 nxënës. Ndërsa Tonini më thotë se kur ka përfunduar vitin e katërt, në bangat e kësaj shkolle numëroheshin rreth 820 nxënës. Me ne është edhe Dranja, ekonomistja e njesisë administrative të Ungrejit, e cila shton: – Ȅshtë e frikshme të mendosh se sot në këtë shkollë dikur të njohur në trevën tonë, frekuentojnë shumë pak nxënës.
Sot në këtë zone nuk ka gjallëri, kanë mbetur vetëm kujtime. Janë kujtime të bukura, kur mendon se kjo trevë ka nxjerrë nga gjiri i saj mjaft burra të shquar që i kanë dale zot fateve të atdheut, intelektualë e mjekë të shquar si Pashk Gjoni, Ndue Çupi, Viktor Marku, Ndue Doçi Ndrecë Zefi, avokatët e njohur Fran Lleshi dhe Gëzim Ndoi, mësuesi dhe historian i njohur Mark Gjon Zefi, studiuesi Mark Kola, drejtuesit e arsimit Zef Gjergji, Lekë Luka, Drita Gjoni, poetja e njohur Alma Jaku, kulturologët Pjetër Marku dhe Pashk Gjini, kengëtarët Prengë Krepi, vllezërit Çarku, Ndrecë Përgjoni, Gjergj Krepi etj. Si gjithmonë, kur vija në këto anë, së pari vizitoja librarianë, ku gjëja mjaft libra të rrallë, sepse edhe librari Llesh Nikollë Lleshi kujdesej t’a mbante bukur dhe t’a furnizonte gjithmonë me libra të rinj. Shpesh më ftonte sapo më shihte dhe më tregonte titujt që mendonte se më interesonin, … por tani vetëm rrenojat e saj mund të shihen. Bashkë me Lekë Dedgjonajn dhe Toninin i biem rreth e rrotull fushës, nuk takuam thuajse asnjë person të njohur, veç një bariu i cili kishte dale të kulloste tufën diku në rrepirat sipër fshatit. – Ja këtu, – më thotë Leka, – ka qënë fusha e futbollit ku çdo mbrëmje pas punës mblidheshim të luanim futboll. Kishte gjallëri, kishte aktivitete, kishte jetë. Ndersa tani mungon gjithçka, ndonse rruga e re ka ardhur deri në qendër të fshatit dhe investimet nga bashkia e Lezhës nuk mungojnë. – Unë shpresoj, – thotë Tonini, që së shpejti ky fshat do të gjallërohet dhe njerzit do të kthehen perserinë këto anë. Unë e kam vendosur, – shton Ai, – se megjithse kam vite në emigrim në Mbretërinë e Bashkuar, një ditë do të kthehem që të jetoj në vendlindjen time. Diku shquaj sukën e Komlikut, ku Vitorja më thotë, se dilnim shpesh me brigaden për të mbledhur bimë mjeksore. Ishte torture e vërtetë, rrugë e largët, terren i thyer, punë e vështirë, po s’kishim ç’bënim, duhej luftuar me vështirësitë për të jetuar. Ndërsa Maria, bijë e këtij fshati, më tregon vështirësitë e përfundimit të shkollës pedagogjikë “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe të punës si mësuese në fshatin Vomë e më vonë në shkollën e Kalivaçit.. Ajo kujton me nostalgji dhe mallë ish – koleget e saj Marie Kovaçi, përgjegjësen e Shtëpisë së Kulturës në Ungrej Lulë Keqi, mësuesen vlonjate Ollga Jaco etj.
Ngjitemi kodrës drejt shtëpisë mikpritëse të Dedgjonajve. Të bie në sy gjelbërimi pambarim i luginës, pemët e stinës ishin në perfundim e sipër. Një gështenjë në cepin e oborrit qëndronte stoike, ndonse me kokrra edne të papjekura. Na presin plot respekt i zoti i shtëpisë Prendi dhe dy kuzhinieret e momentit Dranja dhe Rina. Nga Tirana kanë ardhur për të festuar Petro me Almën dhe Albi së bashku me të fejuarën. Së bashku me Rilendin bëjmë një shetitje rreth bahçes, e cila trego qartë se ka munguar kujdesi ndaj saj. Leka e viziton shpesh shtëpinë e të parëve, por është e pamundur të kthehet në gjendjen e dikurshme kur kujdesej për te nanë Prena, ku nuk mungonin pemët dhe perimet e shumëllojshme. Në këtë festë nuk mungojnë sa shokët e Prendit, muzikantët e talentuar Bik dhe Nest Pali si dhe Rrok Fazija, mjeshtri i fisarmonikës. I presim me gëzim këta instrumentistë të orkestrinës popullore që do t’a gjallërojnë për pak çaste këtë luginë të heshtur. Takohemi me Bikun, violninistin e njohur, Rrokun fisarmonicistin dhe Nestin që i bie dajres. Nuk kalon shumë dhe kenga e vallja gjemojnë në fshatin malorë. Në fakt, ky fshat njihet për bujari dhe mikpritje. Thuhet se dikurë, disa udhëtarëve u kishte rënë rruga të kalonin nëpër Fregën dhe aty i kishte zënë nata. Ishin drejtuar tek një shtëpi e fshatit dhe kishin kërkuar strehim. Familja bujare fregnarase i kishte pritur me të gjitha të mirat dhe i kishte respektuar mjaft. Të nesërmen i kishin pyetur, se si ia kishin kaluar atë natë. – Si për festë në Fregën! – ishin përgjigjur udhëtarët. Kjo thënie me shumë kuptim, vazhdon të përdoret edhe sot në këto anë. Ndërsa ne bisedojmë, Rroku nxjerr telefonin dhe bisedon me Gëzimin, emigrant në Itali, i cili e uron për festën, por i kërkon ndjesë që për arsye pune nuk mund të ishte i pranishëm në mesin tonë.
Ndërkohë atmosfera e festës është ndezur, kengët pasojnë njera – tjetrën. Orkestrina jonë e vogël nuk ka të lodhur, ndërsa tingujt e këngëve kryesisht shkodrane dhe kosovare kanë pushtuar malet e luginat e këtij fshati të heshtur. Them të heshtur, sepse në lagjen ku jemi ne, vetëm dy shtëpi festonin. Pal Gjoni, plaku 84 vjeçarë është betuar se do t’a kremtojë ditën e Shen Mëhillit sa të jetë gjallë. Edhe Prendi premton se kudo që të jetë do të kthehet në vendlindje familjarisht për të festuar, e pastaj ia merr kenges se njohur “Si vendlindja, jo nuk ka”, pasuar edhe nga zëra të tjerë që ndoshta e kendonin për here të pare si vajzat e reja Alma dhe Daniela nga Fieri që kanë lidhur jetën me dy djem nga Fregna, si dhe Eristina e fejuara e Lendit nga Mati. Sakaq Petro propozon të hedhin një valle, grupi prej 25 vetësh që po festoon mblidhen në oborr dhe ia nisin valles. Ka gezim dhe gjallëri, por kjo atmosfere mbetet e përkohshme. – Nuk e kisha menduar që unë, një vajzë e ardhur me studime në Tiranë nga fshati Vreshtas i Fierit, të martohesha me një djalë nga Fregna, – thotë Alma, – por fati ku nuk të çon. Tani kur shoh këto bukuri, këtë vend të mahnitshëm, këta njerëz bujarë, jam e lumtur. Besoj do të vimë shpesh në këto anë.
Një atmosfere të tillë ky fshat nuk e ka ndjerë ka shumë kohë, megjithse me inisiativë të një grupi intelektualësh dhe emigrantësh është caktuar data 4 gusht e çdo viti , që të gjithë bijt e zones të takohen në Ungrej në kuadët të nismës “Vendlindja na thërret”. Ishte ideja e av. Fran Lleshit, emigrantes Bardha Dedgjonaj, poetes Alma Jaku e shumë të tjerëve, që disa ditë në vendlindje të shmallen me njerzit e afërt dhe të njohur dhe të festojnë së bashku me kengë e valle duke shijuar edhe specialitete të kulinarisë. Kjo traditë mjaft e mire, mendoj se duhet të transmetohet brez pas brezi edhe në krahina të tjera për të edukuar tek brezat e rinj, sadopak dashurinë për atdheun dhe respektin për vendlindjen.
Pasi kemi kaluar një ditë të bukur, plot mallë dhe dashuri, kengë e valle, biseda e mendime, mbyllim dyert dhe largohemi drejt metropolit duke e lënë shtëpinë e ndërtuar dikurë me mundë e djersë, në qetësinë e saj. Po sa shtëpi e kulla të ndërtuar në shekujt e shkuar mbetën sot në heshtje, në vend që të gumzhinin më shumë se kurrë nga bisedat e burrave dhe fëmijëve të vegjël. Sidoqoftë, duke patur shpresë se së shpejti jeta në këto male do të ringjallet, nisim rrugën e kthimit drejt Kreshtës. Më mbetën në mendje lotët e Toninit, i cili herë kujtonte nënën, herë shokët dhe herë vendet ku kishte lujtur në vitet e fëmijërisë që s’do kthehen më kurrë.







