Falsifikimi përbënte një prej aftësive kryesore të grupit të Rrumit të Shijakut, të cilën duket se e kanë shtrirë edhe në drejtime të tjera. Në dosjen hetimore zbulohet se Laho me të vëllanë falsifikonin dhe hidhnin në qarkullim shuma të mëdha parash të falsifikuara.
Madje, bisedat mes tyre zbulojnë se ata mund t’i kenë futur edhe në sistemet bankare.
Rrumi: Ço ndonjë te daja në Rinas se i ka bërë ato lekët. I ka në shtëpi, t’i shohim njëherë si i ka bërë, se mi nisi me foto. Dhe tani i ka shkuar ai robi që i ka bërë, është te shtëpia aty. Do i fusim me ndonjë bankë aty, po mundëm…
Vullneti: “Po do 20 %, apo ke folur ti…Ke folur me ndonjë ti?
Rrumi: “Kam pyetur për praktikën si funksionon. Do gjejmë ndonjë drejtor…Ço ose Gonin ose Tosin te daja t’i marri t’i shihni.
Deri tani, treguam përvetësimet masive të pronave duke shfrytëzuar presionin dhe korruptimin e zyrtarëve. Në dosjen e SPAK, transkriptet e SKY zbulojnë edhe luftën për territor në aksin Durrës-Shijak.
“Aty vërehet që dy grupe në një qytet kanë rivalitet të fortë dhe ajo që shqetëson është kërkesa për numër të lartë viktimash, vërtetë tronditëse dhe është e gjitha luftë për terren, dhe për terren ilegal si tjetërsimi i pronave. Një jetë e barabartë me një pronë që përkthehet në pushtet më pas”, thotë avokati Bledar Meminaj.
“Sigurisht këto grupe kanë qenë jo vetëm objekt i veprimtarisë sonë hetimore, por edhe i goditjes së grupeve kriminale, kemi arrestuar disa persona, një organizatë në zonë, kemi dhënë dënime dhe kanë qenë në vëmendje të Prokurorisë Krimeve të Rënda çdo veprimtari”, thotë ish-prokurori, Eugen Beçi.
Siç del në komunikime, Rrumi shpesh u dhuronte pronat e përvetësuara bashkëpunëtorëve të tij. Ai kishte lidhur aleancë me Avdylajt e Shijakut që del qartë në komunikimet mes tij, Astrit Avdylit dhe nipit të tij Elidon alias Aldo Avdyli. Në një komunikim mes Rrumit dhe Aldos, flitet për planet për të eliminuar Plarent Dervishin dhe Edmond Koçin alias Mond Çekiçi.
Rrumi: Këta xhirojnë lojën e qytetit..
Aldo: Po, je fiks fare vëlla, kjo është. S’ta fut njeri ty për terren, dhe për mend…
Rrumi: Heqim Ceken, se Cekja është truri i tyre në terren. Se qytetin ata e kanë në kontroll…
Aldo: O vlla, duhen 10 viktima brenda vitit…
Në bisedën mes tyre, bie në sy momenti kur Rrumi i premton Avdylit që të zgjedhë tokë sipas dëshirës pasi ai posedon prona të shumta./tch







