Në dritën e zhvillimeve të sotme politike, fjalët e Abdi Baletës – një prej zërave më të fortë dhe më të hershëm kritikë ndaj mënyrës së Partisë Demokratike – tingëllojnë ende të freskëta. Në një intervistë të dhënë për “Gazetën Shqiptare” më 20 korrik 2010, Baleta rrëfente arsyet e largimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së dhe përplasjet me lidershipin që, sipas tij, kishte devijuar që në fillesat e demokracisë.
Në fund të vitit 1990, Baleta ishte anëtar i Forumit të të Drejtave të Njeriut, ndërsa në vitin 1991 zgjidhet deputet në qarkun e Beratit me listat e Partisë Demokratike — pa qenë asnjëherë anëtar i saj. Ai shpjegonte se radikalizmi i qëndrimeve të tij kishte ardhur si reagim ndaj lëshimeve që, sipas tij, po i bëheshin Greqisë dhe mungesës së vullnetit për të mbrojtur interesin kombëtar.
“Ishin disa arsyet, por po përmend një pjesë të tyre: çështja kombëtare. Në atë kohë po i bëheshin shumë lëshime Greqisë nga ana e qeverisë shqiptare; trajtimi që po i bëhej minoritetit grek, çështja e Kishës Ortodokse dhe caktimi i Janullatosit si kryepeshkop. I kishim kërkuar qeverisë që ta njihte Republikën e Kosovës që në 1991-in, këtë njohje duhej ta bënte qeveria dhe jo parlamenti, gjë që nuk e bëri.
Bëmë luftë për ta përjashtuar ‘OMONIA’-n si subjekt politik… si dhe çështja çame. Për këtë çështje kemi kërkuar kthimin e çamëve në tokat e tyre, ashtu siç u kthyen kosovarët. Ndërsa çështjet e tjera: ka qenë ligji i tokës, 7501, shit-blerja e tokës.”
Baleta kujtonte se për herë të parë doli hapur kundër PD-së më 19 korrik 1991, pasi ishte kthyer nga SHBA:
“Kisha lexuar ligjin për tokën, ku thuhej që toka të ndahej për frymë. Unë dola kundër duke u shprehur se toka duhet t’u kthehet pronarëve. Thashë në Këshillin Kombëtar të PD-së se po fusni popullin në vëllavrasje dhe po bëni lojën e Greqisë. Dhe për këtë nuk më ka mbështetur njeri, vetëm më kanë sulmuar.”
Kundër qeverisë së stabilitetit
“Jo vetëm kam qenë kundër, por edhe kam punuar për rrëzimin e saj. Arsyeja ishte e thjeshtë: me këtë qeveri do të zhdukej pluralizmi dhe do të vazhdonte të ishte aktiv Ramiz Alia, që në 1991-in ishte ende President.”
Një nga momentet më të tensionuara për Baletën ishte debati për ligjin “Për të drejtat e njeriut” në vitin 1993, për të cilin deputetët e PD-së kërkuan ndjekjen e tij penale për “tradhti kombëtare”.
“Në prill të 1993-it, kur po miratohej ligji për të drejtat e njeriut, deputeti grek Makariadhi propozoi një amendament që u jepte shqiptarëve të drejtën të deklaronin çfarë kombësie janë. U ngrita dhe thashë: ‘Ky është shkatërrimi i kombit!’. Kombësinë e cakton Zoti dhe jo ligji. Shtetësinë e cakton ligji. U bëmë tre vetë kundër: unë, Uran Butka dhe Shefqet Hoxha. Amendamenti nuk kaloi për dy vota.”
Baleta kujtonte se pas atij episodi, marrëdhëniet mes tij dhe PD-së morën fund përfundimisht.
“Berishën e kam mbështetur në shumë raste, por edhe e kam kundërshtuar më shumë se askush tjetër. Deri në vitin 1993 radikalizmin e donte edhe ai vetë, por pastaj u tërhoq dhe vendosi largimin tonë.”
Në dritën e sotme, kur PD-ja përballet me debate të brendshme mbi identitetin, qëndrimet kombëtare dhe përçarjet e vjetra e të reja, fjalët e Abdi Baletës duken si një rikthim në origjinën e një partie që ende nuk ka mbyllur llogaritë me të shkuarën e vet./vna







