Ballina Opinion Autoriteti i dosjeve që mbron xhelatin ‘Velo’ duhet të japë dorëheqjen

Autoriteti i dosjeve që mbron xhelatin ‘Velo’ duhet të japë dorëheqjen

84
0

Nga Besim Ndregjoni

Rilindja komuniste, që ka pushtuar pushtetin vendor me votat e manipuluara me pushtet, tani ka filluar të nderojë xhelatët e djeshëm, inkuizitorët që për një fjalë goje internonin gjithë jetën, jo vetëm atë që foli, por edhe familjen e tij.
Xhelatët, mbasi i internonin familjet e varfra shqiptare, siguronin privilegje për karrierën e tyre në sundimin diktatorial!

Institucionet që u krijuan formalisht nga PS, se po merren me të kaluarën, u blinduan me drejtues të PS dhe me halabakë që vinin nga shtresa antikomuniste dhe i shërbejnë rrogës së tyre dhe aspak të vërtetës!

Para pak ditësh doli nga Këshilli Bashkiak i Lushnjes një nderim ndaj një ish-Kryetari të Komitetit Ekzekutiv të Lushnjes në vitet ’80, i cili si Kryetar i Komisionit të Internimeve-Dëbimeve, që ja jepte posti i lartë në drejtimin e diktaturës, ka kryer internime në këtë qytet që ishte në vëmendje të diktatorit, për arsye se mbulonte prodhimin bujqësor për gjithë vendin.
Por që ishte edhe vendi ku shumë fshatra të këtij rrethi ishin përcaktuar si vende internimi, sidomos për veriorët armiq të diktaturës enveriste!
Meqë Lushnja në shumicë ishte kënetë, këto familje fisnike veriore do ta kthenin kënetën në tokë bujqësore.

Media e bëri problem nderimin e këtij Kryetari të Komitetit Ekzekutiv të Lushnjes, Gjergj Velo.
U intervistua Koreshi, deputet, u intervistua i internuari në Lushnje Ilir Cullhaj.
Dega e PD Lushnjes heshti, ajo që mbron të djathtën, dhe sot na del me një deklaratë Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, dhe pa u skuqur nga morali, deklaron se Kryetari i Komisionit të Internimit të Lushnjes nuk përfshihet në statusin e këtij institucioni.

Ky institucion, që s’ka lënë dosje të viktimave të komunizmit pa hapur e publikuar, që i ka “telenis” të burgosurit politikë që, nën diktatin e xhelatëve të komunizmit, kur dilnin para pushkatimeve, ishin të detyruar të firmosnin për të shpëtuar jetën!
Ky institucion qesharak hap dosjet e viktimave, të internuarve, të burgosurve dhe të pushkatuarve, që iu ndaluan të drejtat njerëzore mbi 800.000 shqiptarëve, por xhelatëve që kryen krime nuk ua hapi dosjet e krimit!

Dhe këta xhelatë e bij ekzekutorësh u përfshinë në politikëbërje.
U bënë deputetë nën mbrojtjen e këtij institucioni politik, që nuk ua hapte dosjet e krimit që kishin kryer këta kriminelë, mbajtësit e fortë të trashëgimisë së enverizmit, dosjet e ekzekutorëve të mbi 10.000 shqiptarëve të pushkatuar, mbi 6.000 të cilëve nuk u janë gjetur eshtrat dhe që përbuzën sot nga rilindja komuniste.
Ky institucion nuk i hapi dosjet e tyre kriminale, që shoqëria shqiptare të njihte krimet monstruoze që kishin kryer mbi popullsinë e pafajshme.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë i drejtohet publikisht këtij institucioni:
Jepni dorëheqje, se po mbroni xhelatët dhe kriminelët e diktaturës.
Jeni kthyer në një institucion qesharak e tragjik, duke mbrojtur xhelatët e duke përbuzur viktimat.

Pse nuk hapni dosjet e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë që i kanë shërbyer diktaturës?
E për çfarë na duhet ky institucion, kur përçmon viktimat dhe mbron xhelatët që kanë kryer krime dhe kanë shkatërruar tre breza të familjeve antikomuniste?

Si nuk turpërohet ky institucion, kur ka harxhuar qindra mijëra dollarë për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve dhe mashtron qindra familje, se në fund të dhjetorit do marrin leje të shikojnë pesë vende ekzekutimesh dhe këto vende nuk i ka zbuluar ky institucion, por familjet që kanë mbi tre dekada që kërkojnë eshtrat.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme tallet si në diktaturë, me përgjigjen e këtij institucioni:
“Nuk lejojmë t’i gjeni eshtrat, se i ka vrarë shteti.”

Ky institucion i drejtësisë njeh shtetin komunist dhe etiketon viktimat si terroristë, ndërsa familjet antikomuniste sorollaten me gënjeshtrat e këtij institucioni, që mashtron me fjalë të bukura, kur në këto familje po shuhet brezi i tretë pa gjetur varret!

Pse nuk i hapni dosjet e hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të diktaturës që sot na drejtojnë politikëbërjen dhe gjykatat e prokuroritë e këtij shteti aspak demokratik, por diktatorial?
Pse nuk hapni dosjet e hetuesve të Sigurimit të Shtetit që janë deputetë në parlament dhe na bëjnë edhe reformën në drejtësi?
Pse nuk hapni dosjen e prokurorit të diktaturës që drejton Shkollën e Magjistraturës dhe del në media si hartues i Kodit Penal, duke e kthyer Shkollën e Magjistraturës në një shkollë partie, ku u mohon dijen djemve dhe vajzave që nuk i shërbejnë partisë-shtet?

Hapni këto dosje që të njohin shqiptarët se kush i drejton këto institucione në “demokraci”!
Ata që dje vrisnin, burgosnin e torturonin antikomunistët, sot janë bërë pashallarë në demokraci.

Kujt i shërbeni, zotërinj të Autoritetit të Dosjeve, xhelatëve të diktaturës së djeshme, që shfarosën 40% të antikomunistëve shqiptarë dhe i lanë pa varre, apo të vërtetës që u ka ndodhur këtyre shqiptarëve?

Ky Autoritet i Dosjeve që mbron xhelatët e tipit Velo duhet të japë dorëheqje.
Vetëm Autoriteti i Dosjeve nuk e ditka se Kryetari i Komitetit Ekzekutiv ishte edhe Kryetar i Komisionit të Internim-Dëbimeve!
Krimet që u kryen kundër shqiptarëve nuk fshihen me ligje që miratojnë pasardhësit e ekzekutorëve dhe xhelatëve të djeshëm.

Zotërinj të Autoritetit të Dosjeve, e pakta që mund të bëni është të largoheni nga manipulimi i dosjeve, nëse doni të shërbeni të vërtetës me largimin tuaj.
Justifikoni se jeni njerëz dhe jo shërbëtorë të pushtetit të krimit.

Gjaku i pafajshëm i antikomunistëve thërret:
Diktatura po troket. Këmbanat bien për të gjithë ne.