Pas zbulimit në vitin 2021 se ishte diagnostikuar me kancer ovarian, Christiane Amanpour po përballet për herë të tretë me të njëjtën sëmundje, të cilën këtë herë po e menaxhon me kujdes dhe optimizëm.
Spikerja e njohur e CNN-it ndau lajmin gjatë një interviste në podcastin “Changing the Ovarian Cancer Story”, të organizuar nga World Ovarian Cancer Coalition, ku ishte e ftuar bashkë me dr. Angela George — onkologe gjinekologe nga Royal Marsden Hospital në Londër, një nga qendrat më të njohura në botë për trajtimin e kancerit.
“E kam përsëri, por po menaxhohet shumë mirë. Kjo është diçka që njerëzit duhet ta kuptojnë: disa lloje kanceri mund të mbahen nën kontroll,” — tha Amanpour, gjatë bisedës me moderatoren Hannah Vaughan Jones.
Gazetarja kujtoi momentin e parë kur njoftoi publikun për sëmundjen, duke treguar se kishte vendosur ta bënte këtë sepse njerëzit po pyesnin për mungesën e saj pas një muaji jashtë ekranit.
“Kur u ktheva përpara kamerës pas katër javësh — pas operacionit dhe periudhës së rikuperimit përpara kimioterapisë — vendosa të flas hapur. Doja të bëja një shërbim, jo vetëm për shikuesit, por për këdo që mund të ishte në një situatë të ngjashme. Doja të thosha: dëgjoni trupin tuaj. Pjesë e arsyes pse mora trajtim kaq të shpejtë ishte sepse e dëgjova trupin tim dhe shkova menjëherë te mjeku.”
Dr. George theksoi se shumica e grave diagnostikohen vonë, shpesh pasi kanë kaluar me vite tek mjeku i familjes për simptoma që ngatërrohen me refluks, urth apo infeksione urinare.
“Shpesh, kur diagnostikohen, gratë mund ta kenë pasur kancerin për tre apo katër vjet. Prandaj shumë raste zbulohen në faza të avancuara, sepse simptomat nuk janë të qarta dhe shpesh neglizhohen,” — shpjegoi ajo.
Amanpour tha se rasti i saj është disi ndryshe, pasi ajo ka një formë të rrallë të kancerit ovarian, të diagnostikuar në fazën 1/2, ku kanceri ndodhej ende në fazë të hershme, por kishte “adheruar në legen”.
“Angela më shpjegoi çfarë ishte dhe pse ndoshta isha me fat — sepse kisha simptoma dhimbjeje. Shpesh nuk ka asnjë shenjë, dhe shumë gra nuk e dinë. Prandaj ndjej se kam qenë me të vërtetë me fat,” — tha ajo.
Kur njoftoi për herë të parë diagnozën në maj të vitit 2021, Amanpour iu nënshtrua një operacioni të madh vetëm 10 ditë më vonë, e më pas kreu 18 javë kimioterapi. Brenda gjashtë muajve ajo u rikthye në terren për raportim — një rikthim që, siç tregon, e arriti falë mbështetjes së madhe nga komuniteti i saj: familja, miqtë, kolegët dhe djali i saj 25-vjeçar, Darius John, të cilin e ka me ish-bashkëshortin, ish-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, James Rubin.
“Nuk kisha kërkuar ndihmë kurrë më parë. Dhe kur e bëra, e mora,” — tha ajo me emocione. “Nga familja, miqtë, kolegët — nga të gjithë. Ishte prekëse dhe jashtëzakonisht e vlefshme.”
Ajo shtoi se kjo mbështetje e ka ndihmuar jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
“Të kesh njerëz që çdo ditë të pyesin si je, që të vizitojnë, të ndihmojnë, të sjellin diçka — komuniteti është jetik. Absolutisht jetik. Dhe jam me të vërtetë shumë me fat që e kam pasur këtë,” — tha Amanpour.
Në fund, gazetarja falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim të vështirë:
“Mora dashuri e përkrahje nga e gjithë bota. Ishte e pabesueshme. Dhe ishte gjithçka që më duhej.”







