Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar në lidhje me rastin e volejbollistes Nayara Ferreira, për të cilën u raportua se është pezulluar pasi i kërkohet të bëjë testin e gjinisë.
FSHV në njoftimin për mediat, shprehet se nuk disponon ndonjë informacion zyrtar që mund të bëhet publik në lidhje me situatën e volejbollistes Nayara Ferreira. Ky reagim vjen pas raportimeve në media sipas të cilave Ferreira është pezulluar dhe klubit Dinamo i është kërkuar të kryejë “testin e gjinisë”.
Në njoftim thuhet se FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata njofton gjithashtu se mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.
Njoftimi i FSHF-së:
“REAGIM PËR SHTYP
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV)
Në lidhje me informacionet e publikuara në media lidhur me pezullimin e lojtares së ekipit të Dinamos, znj. Nayara Ferreira, Federata Shqiptare e Volejbollit dëshiron të sqarojë se aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar për të ndarë në këtë moment.
FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, publiku dhe media do të informohen përmes kanaleve zyrtare të FSHV-së.







