Ballina Opinion Emancipimi si fasadë: kur bordelloja quhet shtet

Emancipimi si fasadë: kur bordelloja quhet shtet

84
0

Nga Roland Lami 

Në shoqëri të kalbura nga pushteti dhe etja për imazh, edhe emancipimi i gruas mund të kthehet në një profukt imazhi. Gruaja, që dikur luftonte për të qenë zë, sot shpesh përdoret si zëvendësim, si fasadë e një qeverisjeje që kërkon të duket moderne, por që mbetet thellësisht patriarkale në strukturë.
Emancipimi marketohet si estetikë ku syri rëndomt të kap në kamera jo vetëm një grua e kuruar, e ndriçuar, e paketuar bukur për fushata, për poste, për karrige që nuk mbahen me meritë, por me marrëveshje të heshtura nën tryezë.
Kjo nuk është barazi, por një formë e rafinuar prostitucioni institucional ku epshi mashkullor dhe pushteti shkrihen në një ekonomi simbolike të shpërblimit. Aty ku duhej të kishte meritë, vizion dhe përgjegjësi, vendoset erotika e nënshtrimit, e servirur si shenjë emancipimi. Gruaja bëhet emblemë, por jo aktore; zbukurim i një korrupsioni të vjetër që tani ka mësuar të buzëqeshë në kamera dhe të flasë për progres.
Në këtë teatër, seksizmi maskohet si përfaqësim. Pushteti mashkullor përdor figurën femërore jo për ta çliruar, por për ta kontrolluar estetikisht dhe simbolikisht. Ajo që shitet si shije, është në fakt një kontratë e heshtur mes mashkullit në pushtet politik dhe kriminal dhe sistemit që e mban. Një sistem ku trupi, imazhi dhe epshet shndërrohen në kapital politik.
Dhe kështu, bordelloja shtetërore funksionon pa zhurmë. Ajo ka drita, fjalime dhe slogane për barazi, por thelbi i saj është i pandryshuar: pushteti si dëshirë, femra si instrument, dhe meritokracia si iluzion.
Në fund, kur pushteti ngatërrohet me epshin dhe propaganda me estetikën, shoqëria e humb busullën morale. Nuk kemi më grua si subjekt por trupin e saj si objekt argëtitimi dhe kamuflimi simbolik të imazhit të pushtetit.
Gruaja, që duhej të ishte simbol i emancipimit të mendimit, kthehet në instrument të epshit dhe justifikim të korrupsionit. Në këtë realitet, bordelloja nuk është më në periferi ajo është vetë institucioni, i parfumuar me slogane, i zbukuruar me “barazi gjinore”, i financuar me taksat e nënshtrimit tonë. Dhe derisa meritokracia të zëvendësojë dëshirën, dhe morali të ngrihet mbi imazhin, çdo reformë do të mbetet vetëm grimi i një prostitucioni politik që s’ka turp, sepse e quan veten emancipim.