Një grua vdiq pasi u shkel nga një tufë lopësh ndërsa shëtiste qenin e saj në Exmoor në Britani të Madhe.
Rebecca Jane Hitchings (59) nga Woodcombe pranë Minehead në Somerset, u gjet me lëndime të rënda dhe u transportua në Spitalin Derriford në Plymouth, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.
Mjeku ligjor i lartë i Devon, Plymouth dhe Torbay, Philip Spinney, tha se Hitchings pësoi traumë që shkaktoi shok hemorragjik.
Hitchings, një infermiere në pension, e lindur në Exeter, vdiq më 16 tetor. Hetimi, i mbajtur në Devon, u shty dhe pritet të transferohet te mjeku ligjor i Somerset për një seancë të plotë dëgjimore, raporton BBC, përcjell KosovaPress.
Lajmi vjen vetëm disa javë pasi një alpinist në Austri u shkel për vdekje nga një tufë lopësh ndërsa po shëtiste me gruan dhe qenin e tyre. 85-vjeçari dhe gruaja e tij, 82 vjeç, u sulmuan nga nëntë lopë ndërsa po shkonin drejt një kasolle malore në Ramsau am Dachstein në provincën Steiermark.
Kopeja prej nëntë lopësh sulmoi papritur çiftin, me dëshmitarët që panë incidentin duke thënë se mendonin se lopët mund të ishin trembur nga qeni i çiftit.
Burri vdiq para se të merrte një ndërhyrje kirurgjikale urgjente dhe policia tha se kishte hapur një hetim për ngjarjet që çuan në vdekjen e tij.
Njerëzit paralajmërohen të kenë kujdes ndërsa janë në fusha me lopë, veçanërisht nëse janë me qen, të cilët mund t’i trembin bagëtitë dhe të çojnë në sulmin e tyre.
Një fermer vdiq pasi u shtyp për vdekje nga një nga lopët e tij gjatë kohës së ushqyerjes në Kinë në fillim të këtij viti. Burri i moshuar po u jepte ushqim kafshëve të tij kur njëri prej tyre u sul drejt tij përpara se ta shtypte pas murit. Lopa vazhdoi ta godiste me kokë fermerin ndërsa ai ishte shtrirë përtokë, duke bërtitur nga dhimbja.
Incidenti tronditës ndodhi në Kinën qendrore të premten, më 11 prill. Sipas raportimeve lokale, viktima shkoi në stallë për të ushqyer kafshët.







