Nga Namir Lapardhaja
Sjellja e Partisë Demokratike në raport me Prokurorinë e Posaçme ka qenë absurde. Nga një anë, i gëzohen ‘goditjeve’ që SPAK i ka dhënë herë pas here qeverisë, ndërsa, nga ana tjetër, e gjithë opozita i kundërvihet kësaj strukture kur bëhet fjalë për drejtuesin e PD-së, Sali Berisha.
I njëjti entuziazëm po e shoqëron PD-në edhe nga lajmet e fundit që bëjnë fjalë për thirrjen e zëvendëskryeministres Balluku në prokurori.
Sheh të gjithë opozitën që merren prej dy ditësh me një lajm, i cili, edhe nëse është i vërtetë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, jo vetëm që nuk e ka ‘ndihmuar’ atë në aspektin elektoral, por ka bërë të kundërtën: sa më shumë është goditur qeveria, aq më keq ka dalë opozita në zgjedhje.
Në çdo vend tjetër, nëse një zyrtar i qeverisë do të goditej nga drejtësia, e para që do të përfitonte politikisht do të ishte opozita.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodh në vendin tonë, për shkakun se PD dhe kjo opozitë kanë zgjedhur të jenë peng vetëm i një personi dhe hallit të tij personal.
Shihni se si debatojnë së fundmi edhe për atë në duhet të ik apo të qëndorjnë Berisha, ku të gjithë janë në garë me njëri-tjetrin se kush t’i serviloset më shumë liderit të partisë, ndërkohë që ndonjë zë që ka ndonjë mendim tjetër janë gati ta linçojnë publikisht, siç kanë bërë edhe në të kaluarën.
SPAK mund ta thërrasë Belinda Ballukun, madje mund të hapë edhe çështje penale ndaj saj, ashtu siç ka bërë në të kaluarën dhe me Veliajn, me Beqajn, me Ahmetajn dhe me eksponentë të tjerë të kësaj mazhorance, por për sa kohë që PD nuk arrin të shkëputet dhe ta ndajë fatin e saj nga fati i Sali Berishës, do të vijojë të zvarritet dhe të gëzohet kot, sepse asgjë nuk do t’i kthehet në përfitim elektoral.
Në vend të këtij entuziazmi të gënjeshtërt, goditjet që do të merrte qeveria nga Prokuroria e Posaçme dhe nga GJKKO-ja, duhet të shërbenin për reflektim në radhët e opozitës, për t’u bërë më e arsyeshme dhe më e besueshme, sepse, ndërkohë që ndodhin të gjitha këto, PD dhe opozita është e vetmja që për çdo rast ka një paranojë alternative që e zhbën punën e drejtësisë dhe krijon iluzione të kota dhe të pavërteta.







