Nga Bovilla te Hamallaj, nga Farka te Prespa, uji që na mban gjallë po bëhet pasqyrë e dështimeve tona. Raporti i pare i monitorimit “Active Water II” zbulon një Shqipëri ku liqenet urbane, kanalet kulluese dhe plazhet mbajnë brenda tyre ndotje masive fekale, kimike dhe ngërç institucional.
Nga Denada Jushi*
Një fushatë monitorimi mbi trupat ujor në Shqipëri, e zbatuar nga Fondacioni H2H në bashkëpunim me Art Kontakt dhe North Green Association, në qershor 2025, ekspozoi një të vërtetë të pakëndshme: nga liqenet urbane të Tiranës, te Prespa dhe Shkodra, nga kanalet kulluese te bregu i Hamallajt, shumica e trupave ujorë mbartin presione të njëkohshme urbane dhe bujqësore, ngarkesë të lartë bakteriale dhe rrezik eutrofikimi, me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin publik, ekonominë vendore dhe rrugën drejt standardeve të BE-së.
Në mëngjesin e nxehtë të qershorit, shëtitorja mbi digën e Liqenit Artificial të Tiranës gumëzhin nga vrapuesit. Fëmijët ndalen te shitësit ambulantë dhe në breg të liqenit, biçikletat kalojnë shpejt, dhe mbi sipërfaqen e ujit, të errët, të turbullt, dalin herë pas here flluska që thyejnë qetësinë. Nën rrugicat e frekuentuara masivisht nga qytetarët e Tiranës fshihet një realitet shqetësues: rrjete të vjetra kanalizimi, lidhje të paligjshme, rrjedhje të ujërave të zeza që, sipas analizave të qershorit, kanë shndërruar liqenin në zonë me ngarkesë të lartë bakteriale, të papërshtatshme për kontakt. Ky nuk është një përjashtim. Është modeli.
Fushata e vlerësimit mori mostra në 14 pika përfaqësuese në bashkitë Shkodër, Vau i Dejës, Elbasan, Tiranë, Durrës, Shijak, Fier dhe Pustec: nga Bovilla, zemra e furnizimit me ujë të kryeqytetit, te Farka, Belshi, Tregani, Funari, Rubjekë, Liqeni i Tafanëve; nga Hidrovori i Hamallajt/Deti Adriatik te Rezervuari i Vaut të Dejës, Liqeni i Shkodrës dhe Prespa e Madhe. Qëllimi? Të mbushë boshllëqet e monitorimit, të identifikojë burimet e ndotjes, të lidhë shifrat me përdorimet reale: pije, ujitje, rekreacion, akuakulturë.
“Megjithëse çdo trup ujor kishte karakteristika dhe problematika të veçanta, ajo që na tronditi më shumë ishte shkalla e përhapjes së ndotjes fekale dhe kimike në të gjithë sistemin ujor të monitoruar, nga liqenet urbane e deri te kanalet kulluese dhe rezervuarët bujqësorë,” shprehet Erjon Kalaja, Ekspert i Menaxhimit të Burimeve ujore pranë H2H Foundation.

Në Shqipëri vdekshmërie nga ndotja e ajrit gati 3-fish më e lartë se mesatarja e BE-së
Rezultati kryesor është brutal në thjeshtësinë e tij: ndotje masivisht e përhapur. Shumica e trupave ujorë shfaqin turbiditet të lartë, nutrientë të rritur (nitrate e fosfate) dhe, më e rëndësishmja, tejkalime të rënda mikrobiologjike (E. coli, koliforme, enterokokë).
“Një nga gjetjet më alarmante ishte prania e lartë e Escherichia coli dhe koliformeve totale në shumicën e trupave ujorë, përfshirë liqenet me përdorim rekreativ si Farka, Artificiali i Tiranës, Belshi, Funari, Tregani dhe Tafanët. Këto vlera tejkalonin ndjeshëm kufijtë e lejuar sipas standardeve të BE-së dhe OBSH-së,” vijon aji.
Skema e presioneve: qyteti, ferma, kanali
Raporti përshkruan një trekëndësh të njohur: ujërat e patrajtuara urbane, rrjedhjet bujqësore dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve. Raste të veçanta, si Vija e Ngjalësnë Roskovec–Hoxharë, ngrenë alarmin edhe për naftë dhe vajra në nivele shumë të larta, sinjal i ndërhyrjeve industriale e urbane të pakontrolluara, me rrezik të lartë për ekosistemet e lumit dhe përdoruesit e ujit.

Në zona rekreative, si Farka dhe Liqeni Artificial i Tiranës, ngarkesa bakteriale i nxjerr jashtë loje përdorimet me kontakt: noti, kanotazhi, sportet ujore, triatlona etj. Në Rezervuarin e Treganit (Elbasan), turbiditeti dhe fosfatet janë aq të larta sa e bëjnë ujin problematik edhe për ujitje; në Belsh dhe Liqenin e Tafanëve shfaqet një tablo e ngjashme: mikrobe të larta, pH jashtë kufijve, dhe rrezik eutrofikimi.

Ai më tej shton se situata është alarmante, sidomos duke pasur parasysh aktivitetet e shumta që zhvillohen në këto liqene, si Tirana Triathlon në Farkë apo pushimet familjare buzë ujit.
“Mostrat tregojnë nivele të larta të E. coli dhe koliformeve, që e bëjnë ujin të pasigurt për not apo përdorim rekreativ. Edhe përdorimi i ujit të Liqenit Artificial për ujitje të gjelbërimit mund të përhapë ndotjen fekale në tokë dhe bimësi,” përfundon ai.
Madje edhe rastet pozitive, Shkodra dhe Prespa, nuk janë aspak të qetë: parametrat fiziko-kimikë përgjithësisht të mirë, por mikrobiologjia prish mesataren. Pa sistem kanalizimi funksional përgjatë vijave bregore, edhe liqenet tona emblemë mbeten nën kërcënim, sidomos në pikat e frekuentuara turistike.
Bovilla: një burim i çmuar në rrezik
Bovilla mban në shpinë 50–80% të furnizimit me ujë të pijshëm të Tiranës. Në terren, ekipi i H2H gjeti turbiditet mbi kufijtë e ujit burimor, E. coli, koliforme dhe enterokokë në disa mostra. Impianti i trajtimit e filtron ujin përpara shpërndarjes, por ngarkesa mikrobiale e rritur e vështirëson trajtimin dhe rrit rrezikun operacional, mjafton një incident në rrjet për ta kthyer sigurinë në rrezik.
Rreth liqenit, destinacion fundjave, piknikë, rrugë “off road”, mungesa e buffer-zonave dhe infrastrukturës bazike (koshat, sinjalistika, kontrolli i aksesit) nxit një derdhje gradualisht të normalizuar të mbetjeve dhe rrjedhjeve drejt ujit. Rekomandimet janë të drejtpërdrejta: perimetër mbrojtës i gjelbër, auditim dhe sanksionim i lidhjeve të paligjshme, monitorim në kohë reale, raportim publik i të dhënave.
Erjon Kalaja, në vijim të monitorimit të kryer shprehet se “gjetjet tregojnë një nivel të lartë të turbullirës dhe ndotje mikrobiologjike, përfshirë prani të E. coli. Edhe pse impianti i trajtimit është funksional dhe modern, ngarkesa e ndotjes në rrjedhën e sipërme mbetet një sfidë serioze. Pa masa mbrojtëse në burim, zinxhiri nuk është plotësisht i sigurtë.”
Uji që furnizon shumicën e Tiranës është gjithnjë e më i turbullt dhe me ngarkesë bakteriale të lartë, përfshirë nivele të larta të ndotjes fekale. Në fund të ditës, Bovilla është testi i sinqeritetit: a e trajtojmë ujin e pijshëm si infrastrukturë kritike? Apo e lëmë të bëhet pjesë e një rekreacioni të pakontrolluar, ku “pak” ndotje pranohet si kosto e argëtimit?
Farka & Liqeni Artificial: urbanizim i shpejtë, ujëra të ngadalta
Farka është shembulli më i qartë i asaj që ndodh kur urbanizimi ecën përpara kanalizimeve. Kalcium, nitrate dhe ortofosfate në rritje; E. coli, koliforme, enterokokë, tabloja e një pellgu që merr përditë një shtysë nga përdorimi i plehrave kimike, rrjedhjet shtëpiake dhe një rrjet kanalizimesh që nuk mban ritmin. Farka nuk është tani as e sigurt për rekreacion me kontakt, as për ujitje pa masa të posaçme.

Liqeni Artificial i Tiranës është një laborator urban: nutrientë nga gjelbërimi i mirëmbajtur me kimikate, rrjedhje nga lokalet buzë ujit, turbiditet i lartë, ngjyrë e errët, baktere fekale. Raporti vëren madje përdorimin e ujit të liqenit për ujitje në sheshin poshtë digës, një praktikë me rrezik të qartë për përhapjen e ndotjes. Në të dy rastet, nuk mjafton “t’u kthehemi standardeve”. Duhet arkitekturë e re menaxhimi, nga indeksi i ngarkesës turistike (“sa vizitorë mban liqeni pa u dëmtuar?”) te zonifikimi i përdorimeve, nga kontrolli i pesticideve te një trup i tërë sanksionesh që duhet të funksionojë.
Hamallaj: ku derdhet toka në det
Në Hamallaj, aty ku toka përfundon dhe deti fillon, raporti Active Water II gjen një histori që shkon përtej statistikave. Mostrat mikrobiologjike duken në kufijtë e pranueshëm për E. coli dhe koliforme, por prania e enterokokëve intestinalë në pikën e shkarkimit të hidrovorit tregon një ndotje më të fshehtë, rrjedhje që nuk shihen, por që mbërrijnë deri te plazhi. Nitrate, kalcium, turbiditet i lartë: një përzierje që tregon se gjithë çka ndodh në tokë, nga mbetjet bujqësore te kanalizimet e papërpunuara, përfundon këtu, në ujërat ku notojmë dhe ku fëmijët luajnë gjatë verës.
Në brigjet përreth, resortet e reja ngrihen me të njëjtin ritëm me të cilin rrjedhin ujërat e hidrovorit drejt detit. Turizmi i shpejtë dhe mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e ujërave krijojnë një përplasje mes zhvillimit dhe pastrimit, dy ritme që nuk ecin kurrë paralelisht. Për vizitorët, Hamallaj është një destinacion i qetë, për shkencëtarët, është pika ku “thërrimet” e ndotjes që mbledhin lumenjtë e brendshëm derdhen në Adriatik.
Eksperti Erjon Kalaja më tej shton i shqetësuar se “kanali i shkarkimit të ujërave të kullimit para Hidrovorit të Hamallaj ishte devijuar, çka do të thotë se ndotja potenciale e vërtetë mund të jetë edhe më e madhe se ajo e monitoruar.”
Kjo zonë bregdetare nuk është vetëm rërë dhe diell, është pika e fundit e një zinxhiri të gjatë ndotjeje që nis nga qytetet, kalon nëpër kanale dhe përfundon në det.
Liqenet e brendshme dhe veriore: uji që ushqen, por edhe paralajmëron
Nga Tregani deri në Prespë, raporti Active Water II zbulon një Shqipëri të lidhur nga i njëjti rrezik: ndotja e padukshme që udhëton përmes ujit. Në Tregan, përqendrimet e larta të fosfateve dhe turbullira e madhe, si pasojë e llixhave lokale dhe kultivimit të shtuar të ullirit, e nxjerrin ujin jashtë çdo përdorimi të sigurt për ujitje.
Në Belsh e Liqenin e Tafanëve, bakteret dhe pH-ja e paqëndrueshme forcojnë alarmin. Edhe në Funar, ku liqeni duket i qetë dhe i pastër, analiza zbulon se lëvizja e varkave dhe rrjedhjet përreth e kanë ngarkuar me E. coli. Ky është një zinxhir i njëjtë ndotjeje që vazhdon në veri, në rezervuarin e Vaut të Dejës, hallkën e parë të kaskadës së Drinit.
Aty, mostrat tregojnë se bakteret fekale janë bërë pjesë e ciklit të ujit që shërben për energji dhe jetesë. Pa kanalizime funksionale dhe pa trajtim në vijat bregore, që rishtazi janë kthyer në magnet për turizmin “Bio”, rezervuari rrezikon të kthehet në një filtër ndotjeje për gjithë kaskadën. Në brigjet e tij operojnë restorante, peshkatarë e turistë, një aktivitet ekonomik që, pa standarde mjedisore, po ushqen të njëjtin problem që e kërcënon.

Në Shkodër, pamja është mashtruese: oksigjeni i tretur është i lartë dhe turbullira e ulët, por E. coli, koliformet dhe enterokokët tregojnë se ndotja njerëzore mbetet e fortë, veçanërisht aty ku turizmi dhe mungesa e kanalizimeve takohen. Edhe pas ndërtimit të impiantit në Shirokë, impiant pët të cilin vihet në pikëpyetje edhe cilësia e funksionimit të tij, liqeni kërkon menaxhim të përbashkët me Malin e Zi, zona mbrojtëse dhe edukim publik për rrezikun që mbart.
Prespa e Madhe, me sipërfaqe në tkurrje dhe ujëra që humbin nivelin çdo vit, ruan një stabilitet fizikokimik vetëm në letër. Mikrobiologjikisht, është nën ndikim të drejtpërdrejtë nga veprimtaria njerëzore, pasojë e mungesës së kanalizimeve dhe tërheqjes së ujit për bujqësi.
Shëndeti publik, vija më e hollë dhe pasiviteti I institucioneve publike
Shifra si E. coli, enterokokë, koliforme janë më pak “seksi” se fotot e dronit dhe videot turistike në instagram. Por ato përkthehen në infeksione të lëkurës, syve, traktit gastrointestinal; në rrezik për fëmijët që luajnë në brigje, për të moshuarit me imunitet të brishtë, për punëtorët që hyjnë në ujë për peshkim apo mirëmbajtje. Në bregdet, një valë enterokokësh e padukshme mund të përkthehet në dalje nga norma për standardet e plazhit. Në bujqësi, ujitja me ujë të kontaminuar i afron mikrobet te tryeza.
Sipas ekspertit Kalaja, Shqipëria duhet të ndryshojë mënyrën si kujdeset për ujin. Ai shprehet se “ndotja nuk është episodike, por sistemike, dhe vjen nga boshllëqet në monitorim, mungesa e qarte e përgjegjësisë dhe buxheteve si dhe heshtja institucionale.”
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, që ligjërisht duhet të mbikëqyrë cilësinë e ujërave, nuk ka as buxhet e as instrumente për ta bërë këtë në mënyrë të plotë. Ndërkohë, institucionet që përfitojnë nga burimet ujore, nga KESH te bashkitë dhe UKT, rrallë marrin rolin që u takon për të raportuar ndotjen në zonat e tyre.
Kalaja e përfundon mendimin e tij duke theksuar se nevojitet një sistem kombëtar monitorimi, me publikim të hapur dhe të kuptueshëm të të dhënave, ku çdo trup ujor të ketë “dosjen” e vet, kush e ndot, kush e përdor dhe kush e mbron. Për këtë duhen tre hapa të thjeshtë por të pazëvendësueshëm: impiante që funksionojnë, monitorim i vazhdueshëm dhe dënime reale për ndotësit.
Nga Bovilla te Hamallaj, nga Farka te Prespa, panorama tregon dështimin e institucioneve më qartë se çdo raport. Kanalizime që derdhen në liqene, impiante që s’punojnë, plazhe që bëjnë reklamë pastërtie mbi ujëra të ndotura, ky është realiteti. Ndotja nuk vjen nga mungesa e dijes, por nga mungesa e përgjegjësisë.//
*ACQJ – Albanian Center for Quality Journalism







