Ballina Dossier Regjisori Haxhi Rama: Aktori është si violina, duhet ta prekësh me delikatesë...

Regjisori Haxhi Rama: Aktori është si violina, duhet ta prekësh me delikatesë të marrësh atë që kërkon

84
0

Bulevard news*

Një nga një i ka kaluar të gjitha. I ka shijuar me ëndje për t’i përcjellë të freskëta tek brezat e rinj të aktorëve dhe krijuesve. Fillimisht krijues kënge, fare i ri, në auditoret e Arteve. Më pas aktor, regjisor, krijues. Shkroi tekste kënge, skeçe, pjesë, drama, komedi. Jo pak, pesëdhjetë vite. Mori shumë çmime, mijëra e mijëra duartrokitje, përqafime dhe urime; përshëndetje pa fund që me të gdhirë e deri sa mbyllej në fjetinën e tij, jo për të pushuar, por për të punuar deri në pasmesnatë. Jetë interesante, të mbushur me mbresa, kujtime, episode pa fund. Të shkruash një libër, ndoshta pak. Megjithatë protagonisti portretit tonë, “Mjeshtri i madh” Haxhi Rama nuk pëlqen lëvdata, nuk dëshiron të flasë për veten e tij, i shmanget bisedës teksa bëhet fjalë për të treguar sukseset si regjisor e krijues. Kështu ndodh me artistët. Dalin në skenë, qëndrojnë prapa kuintave, mbyllen me orë e ditë të tëra për të shkruar, argëtojnë të tjerët, japin mesazhe, gëzojnë, kërcejnë, hidhërohen, bëjnë monolog… Dhe askush nuk i sheh. Jo të gjithë e dinë se Haxhi Rama ka shkruar 15 pjesë dramatike (komedi e drama) dhe se ka bërë dhjetra tekste këngësh dhe 100 skeçe. Megjithatë, kusdho dhe për dhjetra vite ka mbajtur në majë të gjuhës dhe ka përcjellë gojë më gojë batutat: “Mos më fol, jam në autobus”, “O ti i këshillit!”. Jo të gjithë e dinë se është Haxhi Rama autori teksteve të këtyre skeçeve, ashtu siç jo të gjithë dinë se ai është personazhi që u ka sjellë aq shumë gëzime në sallat e teatrit e të estradës, në netët e ndërrimit të viteve, në radio e televizion. Jo të gjithë e dinë se Vaçe Zela pranonte të këndonte, nëse teksti ishte i shkruar nga Haxhi Rama. Jo të gjithë e dinë se Irma Libohova brofi në këmbë spektatorët kur ishte vetëm 10 vjeç dhe se teksti qe shkruar nga Haxhi Rama, ndërkohë që tekset e tij me kompozim të Agim Krajkës janë kënduar nga Ema Qazimi, Besnik Taraneshi e të tjerë. Haxhi Rama ka botuar dy përmbledhje me krijimtari të tij titulluar “BIS-si një variete” dhe “ BIS Plus-5 komedi + 1”.

Fillimisht në teatër

Haxhi Rama, sot “Mjeshtër i madh”, e ka gjetur teatrin e Durrësit në moshën 12 vjeç. Teatri qe krijuar në vitin 1953, kurse estrada u kurorëzua 7 vite më pas. Në fillimet e punës së tij si aktor takoi dhe gjeti mbështetje nga kolosët e themelimit të këtij institucioni kulture. Studimet e larta në Shkollën e Lartë për Aktor i kishin dhënë shumë privilegje. I riu, që më pas do të bëhej aktor e regjisor me emër të madh në të gjithë Shqipërinë, për shkak edhe të karakterit të tij dhe edukatës në arsimin e mesëm, mësoi çdo gjë: aktorim, kërcim ritmik (skermë), balet, lëvizje plastike (truqe), kulturë muzikore e të tjera në mjediset e Teatrit Popullor. Kjo e ndihmoi të përshtatej shumë shpejt dhe lehtësisht, falë edhe ngrohtësisë së gjetur nga aktorët e mëdhenj të teatirit të Durrësit si: Nikolin Xhoja, Spiro Uruni, Vanxhel Heba, Nikolin Xhoja, Marta Burda, Milto Profi, Lutfi Hoxha… Rama i përket kursit të studentëve që nxori jo vetëm emra të mëdhenj, por edhe të krahasueshëm me aktorë me famë si: Reshat Arbana, Demir Hyskja, Rikard Ljarja, Leka Bunga, Margarita Pjetri, Jani Riza, Zhani Ziçishti, Mark Topallaj, Naim Nova, Enver Plaku që njihen si aktorë, skenarist, regjisor, krijues, komedian, dramaturg. Tërë kursi, në të cilin bënte pjesë studenti Haxhi Rama, kishte 18 të rinj prej të cilëve 13 fituan tituj “Artistit i Popullit”, “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”…Pavarësisht ikjes së viteve, asgjë nuk është fshirë nga kujtesa. Haxhiu, apo Xhixhi, siç e thërrasin në mjediset shoqërore, sa herë bie fjala për të sjellë emocionet e periudhës studentore, nis e ligjeron pa më të voglën pengesë. Kjo edhe për faktin se arti, teatri, estrada i ka bashkuar herë pas here duke mos i lënë askujt të humbë vëmendjen. Kjo është plejada që për gjysëm shekulli mbajtën në kulmet e veta teatrin dhe estradën, ndërsa shumë atkorë të teatrit u bënë pjesë edhe të kinematografisë me role të papërsëritshme. Haxhi Rama e ka nisur karrierën si aktor me 1 tetor 1965 dhe e ka mbyllur karrierën me kohë të plotë këtë vit, pra më 2014 duke kaluar tërë këtë periudhe të gjatë në disa dekada në teatrin “Aleksandër Moisiu”, herë si aktor, herë si regjisor dhe pambarimisht si krijues. Ka ngjitur shkallët e teatrit të Durrësit fare i njomë, në një kohë kur edhe vet teatri ishte shumë i ri në moshë, vetëm 12 vjeç. Në këtë kohë nis aktiviteti dhe karriera, grafiku së cilës ka ulje e ngjitje, zik-zake pambarim. Diku triumfon, e në raste të tjera djersin. Koha dhe sistemi afronin të papritura aq sa jeta shkonte në zgrip duke vënë në dyshim jo vetëm të ardhmen, por edhe mbijetesën.  Teksa hyri në teatër si artisit u gjend përballë aktorëve të mëdhenj si Xhoja, Likmeta, Urumi, Njala prej të cilëve mori parimet e para të daljes në skenë. Për plot tetë vite iu përkushtua me zell teatrit me 2-3 role në vitet e para si aktor profesionist në një trupë që bënte 3-4 premira në 12 muaj. Natyra e tij e qetë i ka dhënë shanse të lozë në role pozitive. Si aktor janë vlerësuar shumë rolet e tij tek “Shërbëtori i djallit”, “Njerëz mbi Shkëmb”, “Një shok i klasës sime”…Kujtimet për regjisorin Kujtim Spahivogli i cili vuri në skenë dramën “Njerëz mbi shkëmb” preferon t’i ndajë me të gjithë. Prej tij ka dëgjuar për herë të parë thënien “E rëndësishme është çfarë bën dhe jo çfarë dëshiron të bësh”. Me po kaq vlerë sjell për lexuesin edhe këshillën e aktorit dhe pedagogut të tij të madh, Naim Frashërit “ Aktori është si violinë. Duhet ta prekësh me delikatesë për të marrë atë që kërkon”. Gjatë tetë viteve si aktor ka pasur mirësinë të edukohet profesionalisht në praktikë dhe të jetë edhe kolegë me regjisorët Panajot Kola, Misto Zoto, Vangjush Heba, Enver Plaku, Kadri Pirro. Ramës i pëlqen të flasë shumë për “Mirë se erdhe Elona!” me të cilën ka fituar çmimin më të lartë në konkursin kombëtar të arteve. Janë vlerësuar shumë cilësore komeditë “Kartela e verdhë”, “Lojtari numër 10”, “Fluturimi i breshkës”, “Dashuria e dytë në moshën e tretë”, “Mirupafshim Zhani”, “Vaçja në saksi”…Në mesin e viteve 70 të shekullit të ikur, dramatizoi dhe vuri në skenë romanin “Bonjakët” të Petraq Qafzezit dhe që e titulloi “Grushtet e vegjël”, roman që më vonë u ekranizua nën titullin “Lulkuqet mbi mur”.

Estrada

Estrada është një tjetër cikël me të njëjtën peshë e rëndësi. Pjesën më të madhe si regjisor Rama e ka me estradën në të cilën spikasin disa shfaqje shumë të veçanta. Artistët e estradës së Durrësit kanë marrë flamurin ditën e konkurimit mbarëkombëtarë të estradave në Tiranë më 1996 me pjesmarrje nga të gjitha trevat e vendit. Shfaqja titullohej “Alo, alo, Estrada?” me katër aktorë:Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Roland Koçi dhe Liri Lushi aktore dramatike që ka lozur edhe rolin e Shote Galicës. Hoxha mori çmimin e aktorit më simpatik, Hasa për aktorin e karaktereve dhe Haxhi Rama u cilësua regjisori më i mirë i takimit. Po me këtë trupë shfaqet “Tre burra kërkojnë një grua”. Të gjitha shfaqjet e estradës kanë një bosht lidhës mes tyre duke u afruar me komedinë, përmes ndonjë fabule e cila ka shërbyer si lidhëse duke iu shmangur sa më shumë formës standarte. Me estradën regjisori Rama ka pasur jo pak sukses. Ai ka veçuar skeçet “O ti i këshillit”, “Jam në autobus””Parja dhe darja”  të cilët kanë një jehonë, përhapje dhe popullaritet jashtëzakonisht të madh duke e ruajtur ndikimin, mesazhin dhe humorin edhe tani pas disa dekadash të vëna në skenë. Haxhi Rama me skeçet është përfshirë në grupin e vogël të cilët përgatisnin programin për Vitin e Ri në Televozionin Shqiptar. Aty aktivizoheshin Gjergj Vlashi, Pëllumb Kulla, Paulin Selimi, Koço Devole, Leka Bunga. Bashkë me ta edhe Haxhi Rama të gjithë për të njëjtin qëllim, përgatitjen e programit në cilësinë e krijuesve të teksteve, skeçeve, pjesëve e grimcave humoristike, program që quhej panair humori. Kishte një juri lëvizëse që shkonte rreth më rreth dhe zgjidhte pjesët më të mira për programin e madh, diku dy e diku tri pjesë. Veç këtyre pjesëve bëheshin edhe materiale enkas të reja. Atje improvizohej për shembull një lojë dhe çdo krijues punonte aty për aty për të prodhur një pjesë sa më të pëlqyer për publikun, pra krijonte dhe të gjitha këto krijime konkuronin. Janë më shumë se 100 skeçe për estradë. 28 vite pune me estradën. Të gjitha vitet për Ramën janë shkollë më vete, ndërsa veçon rolin dhe ndikimin në estradë të regjisorit Gjergj Vlashi. Nuk nguron të shkojë deri në pohimin se regjisori Vlashi është babai i estradës në Durrës. “Gjergj Vlashi ia hoqi brekushet estradës dhe e veshi me kostum në formë e në përmbajtje”,-thotë regjisori Haxhi Rama. Ecën edhe më tej duke deklaruar se regjisori Vlashi është i pari modernist dhe kjo vihet re që nga dekori i thjeshtë, skeçet fine, batutat e këndshme, humori i hollë dhe mesazhi edukativ, morali fabulave të krijimtarisë me tendenca bashkëkohore dhe larg koncemtimit dhe brendisë banale. Teksa analizon këtë figura, ai arrin në gjykimin se e gjithë kjo meritë vjen ngase Vlashi dinte disa gjuhë, shfletonte shumë dhe kishte intuitë të veçantë. Krijimet dramatike “Qetësia”, “Në kilometrin 27”, “Duar të fuqishme”, “Ditari një vajze”, “Djemtë e detit” të gjitha me autor Haxhi Ramën janë një nga pasuritë më me vlerë për institucionin e kulturës në Durrës. Estradës i kushtoi 22 vite jetë, plot pasion. Fillesat nisën në vitin 1986 dhe si regjisori prodhoi 100 premiera.

Me kompozitorin…

Vetëm 19 vjeç ka qenë në të parën përpjekje për të trokitur në sallën e vogël të krijuesve të mëdhenj. Vijonte studimet në Tiranë për aktor teksa shkruan tekstin e këngës “Lemza”, këngë e cila do të kompozohej nga Agim Krajka. Me këtë kompozitor të madh do të ketë edhe shumë përvoja të veçanta dhe plot suksese. Haxhi Rama do të shkruajë tekstet e këngëve “Djaloshi dhe shiu” që fillimisht u quajt “Ombrella”, “Ne jemi tre”, “S’e kam të lehtë”, “Bileta e kinemasë”, “Unë dhe shokët e mi”, “Unaza”, ndërsa Krajka tregohej i gatshëm të kompozonte. Këngën “Lemza” e shkroi për Festivalin e Parë të Këngës në Radio, në vitin 1962. Rama ia dorëzoi tekstin e këngës kompozitorit Krajka në një fletore 4-lekëshe. Kënga pati shumë jehonë dhe kjo u vu re në masivitetin e duartrokitjeve që zgjatën 7 minuta, tregues i padiskutueshëm i pëlqimit nga publiku. Vet autori tekstit nuk e ndoqi dot festivalin nga afër pasi nuk iu dha biletë, ndërkohë që “Lemza” nuk shkoi në finale për arsyen e thjeshtë se kishte shumë ritëm, gjë që nuk pëlqehej në atë kohë. Madje ky mospëlqim shkoi deri në kritika për tekstin dhe ritmin, kritikë e botuar në gazetën “Mësuesi”. Bashkëpunimi me Krajkën i dha edhe lavdi pasi fitoi pesë çmime të dyta dhe një çmim të parë në festivale kombëtare. Vaçe Zela ia pëlqentë shumë tekstet e këngëve dhe miqësia e tyre vazzdhoi gjithë jetën. Fakti se Haxhi Rama ishte vënë nën qortim me tekstin e këngës “Lemza”, teksti këngës “Ombrella” iu dha për t’u vlerësuar shkrimtarit Ismail Kadare. Ky i fundit e mori, e analizoi dhe së fundi e këshilloi Ramën t’ia ndryshojë titullin nga “Ombrella” në “Djaloshi dhe shiu”. Kënga bëri “namin” në festival dhe kjo qe pjesë e suksesit falë bashkëpunimit me kompozitorin Krajka. Në saj të kësaj miqësie kënga “Nuk të harroj” mori çmimin e parë. Por bashkëpunimet e Haxhi Ramës dhe të vlerësuara si të suksesshme janë edhe me kompozitorët Agron Xhunga, Maksim Shehu, Aleksandër Lala, Zija Saraçi. Rreth 25-30 tekste këngësh mbajnë emrin e Haxhi Ramës, të kënduara nga këngëtarë të niveleve shumë të larta si: Vaçe Zela, Besnik Taraneshi, Ema Qazimi, Irma Libohova. Kjo e fundit e ka kënduar këngën “Gabimi i Mirelës” me tekst të Ramës në kohën kur Libohova ishte vetëm 10 vjeçe.

Revolta aktorit…

Pavarësisht natyrës së ëmbël e të qetë të aktorit, regjisorit e krijuesit Haxhi Rama, jo çdo gjë e ka bërë të ndihet mirë dhe t’i gëzohet profesionit si aktor. Edhe pse i ri vinte re se diçka nuk shkonte. Rezultatet e mira, dhuntia, serioziteti dhe fjalët e mira nga pedagogë apo bashkëstudentë që qarkullonin për Haxhi Ramën nuk është se ranë në veshin e duhur. E pranon se është pritur ftohtë, gjë që ndodhte përgjithësisht me të porsadiplomuarit. Katër personazhet e lozura në fillimet e karrierës ishin episodik, figurantë, me një dalje, fërshëllimë, zhurmë. Dhe kaq. Rama e kuptoi shumë shpejt se tjetër ishte shkolla dhe tjetër jeta, terreni, puna, profesioni. Jo çdo gjë që kishte mësuar, vihej re në realitet. Tek “Familja peshkatarit” ka lozin rolin e një personazhi që thërret dy herë nga jashtë dhe këtu mbaron roli. Ishte i bindur se gjërat nuk ishin në anën e tij dhe se sa më shumë të kalonte koha, aq më e vështirë do të bëhej për të karriera. “Asnjëherë në këtë Botë nuk mund të çash pa një mik. Këtë e mësova që kur isha në hapat e parë si aktor dhe gjatë gjithë jetës vetëm se e kam forcuar edhe më tej bindjen”,-ka thënë regjisori Haxhi Rama “Mjeshtër i madh”. Çdo gjë po i shkonte dëm: studimet, rezultatet e larta, përkushtimi, pasioni, vullneti, këmbëngulja…çdo gjë. Deri këtu kishte ardhur me këmbët e veta, me sakrificën e familjes. Aktori nuk mund të pajtohej me atë që po ndodhte. Iu përvesh punës, nisi të shkruante tekste dhe të recitonte pjesë të ndryshme dhe me tematikë tërheqëse me synimin për të rënë në sy. Dhe miku u gjet. Vangjel Heba dhe regjisori Panajot Kola do të vërejnë tek aktori i ri pasionin dhe mjeshtërinë, ndaj nisin ta shohin me syrin e së ardhmes. Vitet ecën duke bërë të tyren, ndërsa aktori Haxhi Rama nisi të dëshmojë seriozitetin dhe dëshirën për ta shtytur teatrin dhe estradën në podiumet më të nderuara gjatë ballafaqimeve me karakter kombëtar. Kështu Ramës i propozohet marrja në dorë e stafetës për të qenë regjisor i teatrit “Aleksandër Moisiu”, me daljen në pension të emrit të madh Vangjel Heba. Tematika e shkrimeve të tij do të kishin në epiqendër problemet e mëdha sociale si burokratizmi, servilizmi, indiferentizmi, paragjykimet…Rama ishte rritur si aktor në një mjedis të kulturuar, ndaj prapaskenat e revoltonin tej mase. Ai mban mend se kur ishte në hapat e para të karrierës si aktor, Nikolin Xhoja aktori idhull për të gjithë artdashësit, në mënyrë të përsëritur e porosiste t’i blinte paketën. Ishte 20 vite më i madh dhe një shërbim i tillë e bënte aktorin e ri Rama të ndihej shumë mirë. Me kalimin e viteve, në kohë që Haxhi Rama bëhet regjisor Nikolin Xhoja ngrehej në këmbë sa herë që ai hynte e dilte, për të treguar respektin për shtetin dhe eprorin. Me të tillë edukatë u formua aktori Rama i cili nuk pajtohej dot me prapaskenat.

Hera tjetër, por jo e fundit

Më shumë se 400 herë ishte shfaqur komedia “Kartela e verdhë” dhe në secilën herë jo me më pak se 400 spektatorë. Ndër më të pëlqyerat. Fillimisht qe parë dhe kishte kaluar “klasën” në bërthamën e vogël, në teatër. Më pas u mblodh juria e përbërë nga Agim Zajmi, Misto Zoto, Engjëll Ndocaj, Naum Prifti, këshilli artistik dhe çdo gjë nën mbikqyrjen e të dërguarit të pushtetit e të politikës, Teki Malindi. Ishte rastësi prania në juri e kaq shumë emrave të vlerësuar për kohën, por që më pas, pse jo, do i shërbejnë Haxhi Ramës si gur i fortë për të mos u gjunjëzuar përballë intrigave. Komedia u pëlqye aq sa nuk përfundonin urimet,duartrokitjet, fërshëllimat. Komedia trajtonte tre probleme: futbollin, dashurinë e strehimin. Incidenti me shumë rrezik ndodhi në Berat. Qytetarët kishin mësuar për vlerat e komedisë dhe për gjashtë ditë salla mbushej tej e tej, aq sa ditën e fundit shikuesit shkulën nga vendi kasën e derës së jashtme për t’u dyndur brenda. Ishte e fundit natë e qëndrimit në Berat dhe shfaqja u ndoq nga sekretari i dytë i komitetit të partisë së Beratit i shoqëruar nga regjisori kulturës së qytetit. Me të përfunduar regjisorit i bëjnë të ditur se e kërkojnë në katin e parë. Rama mendoi se thirrja kishte synim përgëzimin për punën dhe çdo gjë tjetër, siç ndodhte sa herë në fund të shfaqjeve. Sekretari politik e priste me 3-4 vetë në një kënd. Ata i bëjnë një “dush” aq sa regjisori nuk e merrte dot veten pasi s’e kuptonte çfarë dhe pse po ndodhin gjithë ato intriga dhe vërejtje për komedinë e cila ishte dhënë dhjetra e dhjetra herë dhe se ishte miratuar nga një juri shumë profesioniste. 14 vërejtje të njëpasnjëshme iu bënë komedisë. Kritikuesit nuk “hanin pykë” dhe kjo vuri në siklet regjisorin nga Durrësi i cili jo vetëm u befasuar nga një qëndrim i tillë, por e përjetoi shumë keq. Përfaqësuesi politik i kërkoi regjisorit të kulturës së Beratit që t’i dërgonte gazetës “Zëri Popullit” vërejtjet dhe të botoheshin që ditën e nesërme, urdhër që fatmirësisht regjisori beratas nuk e zbatoi. Për 2 vite komedia u pezullua, ndërsa regjisori Haxhi Rama gjatë gjithë kësaj kohe përjetoi gjendje të vështirë emocionale.  Komedia “Mirë se erdhe, Elona!” u shpall komedia më e mirë e vitit, ndërkohë që komiteti partisë së asaj kohe, strukturë që diktonte jetën në çdo sektor dhe përcaktonte fatin e jetës së individit, e qortoi ashpër. Paradokse të tilla e kanë ndjekur personazhin tonë, “Mjeshtrin e madh” Haxhi Rama, por jo vetëm atë në atë kohë me farë pak mundësi për të bërë karrierë profesionale.

Tjetër heshtje…

Regjisori Haxhi Rama është dekoruar me titullin  “Mjeshtër i madh”  në muajin maj të  vitit 2000. Kanë kaluar 14 vite që nga ajo datë. Një titull i tillë shoqërohet me pension të veçantë. Kjo nuk ka ndodhur kështu me regjisorin Rama dhe me shumë të tjerë. Propozimi është bërë nga Edi Rama asokohe ministër Kulture, ndërsa president i vendit ishte Rexhep Mejdani. Për të marrë pensionin e veçantë në bazë të ligjit të atëhershëm detyrimisht duhej të firmoste kryeministri. Regjisori ka pohuar se për shkak të pamundësisë financiare shteti mund t’i frenojë dhënien e titujve të tillë, duke përdorë kritere të shumta e të ndryshme. Kjo do ulte numrin e përfituesve si dhe do të krijonte mundësi ta përfotinin vetëm persona me autoritet të padiskutueshëm në fushën e vet. Në vijim të logjikës, regjisori kujton se me dhënien e titullit detyrimisht duhet dhënë edhe pensioni, zarfi siç ai e cilëson në këtë rast shpërblimin e merituar nga çdonjëri “Mjeshtër i madh”.   Haxhi Rama është detyruar që të ripërsërisë edhe një herë dokumentet të cilat së fundi janë bërë para katër vitesh dhe janë miratuar në këshillin e qarkut Durrës. Që aty kanë shkuar dokumentet në Tiranë , në kryeministri ku dosjen në fjalë nuk e kanë prekur fare. Këtë fat të lënies në harresë e kanë pësuar shumë të tjerë si Haxhi Rama dhe të gjithë janë sorollatur prej vitesh në dyert e institucioneve kryesore në Tiranë. Titulli regjisorit Rama iu dha me rastin e 40-vjetorit të estradës së Durrësit. Nënvleftësimi i treguar nga qeveria ka lënë të pakënaqur regjisorin i cili është shprehur se jo të gjithë kanë pasur fatin e tij. Edhe pse është përpjekur t’i shmanget deklarimit të së vërtetës lidhur me emrat e përfituesve të titujve të tillë, regjisori Haxhi Rama ka lënë të kuptohet se në të tilla lista ka edhe emra të personave që duhet të kishin pritur edhe pak vite për të qenë më bindës në të drejtën e tyre për ta fituar titullin “Mjeshtër i madh i skenës”. Në mënyrë të tërthortë nënkuptohet se ka edhe nga ata që e kanë marrë këtë titull pas nxitimit dhe ndërhyrjes politike. Janë shpërndarë me lopatë titujt dhe tani qeveria nuk i jep dot drejtim çështjes ngase ka një kosto të lartë financiare. Dhënia me lopatë i ka rënë ndesh edhe imazhit të institucionit në të cilën përfituesi është pjesë aktive, por edhe ka krijuar njëfarë zbehje tek autoritetet përfituese të lënë në hije po për qëllim se nuk kanë qenë në anën e duhur politike në kohën dhe klimën për të cilën bëhej objekt aplikimi. Madje është edhe një kategori përfituesish që edhe pse e kanë fituar titullin disa vite më pas, kanë marrë shpërblimin financiar pa më të voglën pritje kohore dhe kjo për arsyen e thjeshtë e të vetme se kanë pasur mik. Haxhi Rama e ka fituar “Mjeshtër i madh” para katërmbëdhjetë vitesh dhe nuk shpreson ta marrë shpërblimin ndonjë herë, kurse të tjerë gjithçka e kanë mbyllur brenda një a dy muajve. Politika edhe në këtë rast rezulton të jetë e ngatërruar keq pasi me ndërhyrjen e saj dhe për të përfituar vota janë dekoruar dhe u janë dhënë tituj edhe personave me pak  kontribut dhe me jo shumë karrierë të spikatur. Regjisori me karrierë gjysmëshekullore në art, Haxhi Rama ka bërë të ditur se Presidentët sidomos në ikje e përdorin shumë këtë lojë për të fituar kredibilitet politik. Regjisori sugjeron se qeveria në fillim duhet të dijë se sa lekë ka mënjanë për të llogaritur më pas sa dekorime mund të bëhen.

 *Sqarim: Për shkak të një problem, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, gazetari që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!