Ballina Politika Rezoluta për SPAK/ Mazhoranca kërkon hartën e grupeve kriminale, shton presionin për...

Rezoluta për SPAK/ Mazhoranca kërkon hartën e grupeve kriminale, shton presionin për të ulur numrin e arrestimeve

81
0

Zbardhet rezoluta e plotë e Kuvendit për Prokurorinë e Posaçme (SPAK), me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dokumenti që ka siguruar “Pamfleti”, përmban një sërë rekomandimesh, ku ndër më kryesoret janë identifikimi i grupeve kriminale aktive dhe vlerësimi i masave të sigurisë të zbatuara gjatë viteve të fundit. Ai kaloi në Komisionin e Ligjeve dhe pritet miratimi në seancën e së enjtes ku do të raportojë Altin Dumani.

Në njërën nga pikat kyçe, Kuvendi kërkon ngritjen e një grupi pune në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, për përgatitjen e një analize të plotë mbi grupet e krimit të organizuar, aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë vendit, si dhe hartimin e një strategjie të thelluar për luftën ndaj tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm i rezolutës është kërkesa për përgatitjen e një analize mbi masat e sigurisë të marra gjatë periudhës 2021–2025. Pra duket se mazhoranca vijon më presionet ndaj SPAK, për të frenuar arrestimet. Edhe pse dikur deklarohej se përse SPAK nuk arreston, tani kërkohen masa më të buta. Kjo pikë vjen në kuadër të disa kërkesave më parë, sidomos pas arrestimit të Veliajt, ku kritikohej SPAK mbi masat shtrënguese me burg.

Rezoluta kërkon gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të drejtësisë dhe strukturave të sigurisë për përgatitjen e politikave të reja, duke përfshirë analizën e krimeve zgjedhore, përmirësimin e hetimeve financiare dhe standardizimin e metodologjive të hetimit. Po ashtu, parashikohet përdorimi më i gjerë i teknologjive të avancuara për gjurmimin e pasurive, pastrimin e parave dhe krimet kibernetike.

Në përfundim, dokumenti thekson domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të SPAK me agjencitë partnere si Europol, Eurojust dhe OLAF, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe rekomandimet e strukturave monitoruese.

Rezoluta për SPAK

Duke e konsideruar tejet të rëndësishëm misionin kushtetues të Prokurorisë së Posaçme në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;

duke njohur, respektuar dhe mbështetur pavarësinë ligjore e institucionale të strukturës SPAK; përfshirë Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit;  duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në ushtrimin e ndjekjes penale, hetimin dhe përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit para gjykatës së shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, duke vlerësuar angazhimin dhe rezultatet e arritura nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit përgjatë vitit 2024, në përmbushje të përgjegjësive të tyre kushtetuese e ligjore dhe në zbatim të rekomandimeve të mëparshme të Kuvendit të Shqipërisë;  duke marrë në konsideratë rritjen e besimit të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe vlerësimet pozitive të shprehura për veprimtarinë e këtij institucioni nga Bashkimi Europian, edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit në BE.

Pasi kemi dëgjuar dhe diskutuar raportin e paraqitur nga drejtuesi i SPAK, paraqesim këto rekomandime për strukturën e posaçme:

1.       Ngritjen e një grupi pune në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, për përgatitjen e një analize mbi grupet e krimit të organizuar aktive brenda dhe jashtë vendit dhe për hartimin e një strategjie të thelluar të luftës kundër tyre.

2.       Po ashtu, kërkohet përgatitja e një analize mbi masat e sigurisë të marra gjatë viteve 2021-2025, politikat e ndjekura, problematikat e konstatuara dhe masat e nevojshme për përmirësim, duke u bazuar në praktikat e vendeve europiane dhe standardet e rekomanduara nga KIE, BE, GRECO, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

3.       Në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të zhvillohet një analizë e përbashkët mbi zbatimin e strategjisë për parandalimin e krimeve zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për masat ligjore e institucionale që mund të ndërmerren për të garantuar integritetin e proceseve zgjedhore dhe për të ndëshkuar çdo shkelje të ligjit në këtë fushë.

4.       Rekomandohet gjithashtu zgjerimi i përdorimit të teknologjive të avancuara për gjurmimin e pasurive dhe rrjeteve financiare në çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit; rritja e kapaciteteve teknike e logjistike për hetimet financiare; përmirësimi i hetimit të krimeve kibernetike dhe pastrimit të parave, përfshirë kriptovalutat; trajnime të specializuara dhe bashkëpunim më të ngushtë me Europol dhe IMPACT.

5.       Të bëhen përpjekje për unifikimin dhe standardizimin e metodologjisë së hetimit lidhur me marrjen e provave dhe masat e sigurisë, bazuar në vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe GJED.

6.       Po ashtu, kërkohet finalizimi dhe miratimi i akteve të mbetura nënligjore, përfshirë udhërrëfyesin për reduktimin e çështjeve të prapambetura dhe aktet që lidhen me qarkullimin e brendshëm të dosjeve.

7.       Zbatimi efektiv i sistemit të menaxhimit të çështjeve duhet të përfshijë aktivizimin e moduleve të mbetura dhe përdorimin e sistemit për raportim të brendshëm e gjenerim statistikash në kohë reale.

8.       Duhet të synohet rritja e efikasitetit institucional të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në zbatim të përcaktimeve të ligjit organik, përmes plotësimit të vakancave dhe sigurimit të kushteve logjistike për funksionimin e plotë të strukturës.

9.       Kërkohet gjithashtu vazhdimi i përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, në zbatim të rekomandimeve të BE-së, duke intensifikuar bashkëpunimin me agjencitë e Bashkimit Europian si Eurojust, Europol, OLAF dhe vendet anëtare për ndjekjen e çështjeve transnacionale, me synim përmbushjen e plotë të rekomandimeve të Raportit të Bashkimit Europian, GRECO-s dhe të MONEYVAL-it.