Rusia dyshohet se po e përdor mbetjet e tragetit MS Estonia, i fundosur në Detin Baltik më 1994, si një bazë strategjike për operacione të fshehta nënujore dhe mbikëqyrje të forcave të NATO-s, zbulon një raport i ri nga hetues të pavarur evropianë.
Vendi i fundosjes, ku humbën jetën 852 persona, është zyrtarisht një vend varrimi i mbrojtur dhe është i ndaluar për zhytje, por Rusia dyshohet se e ka shkelur këtë ndalim, shkruan Newsweek.
Sipas raporteve nga transmetuesit gjermanë WDR, NDR dhe Süddeutsche Zeitung, Moska e ka shndërruar vendin në një platformë për spiunazh dhe ushtrime ushtarake në afërsi të rrugëve ujore kryesore të NATO-s.
Nëse vërtetohet, përdorimi i vendit të katastrofës detare nga Rusia për qëllime sekrete ushtarake do të përbënte kërcënim serioz për sigurinë dhe një shkelje të ndjeshme të një marrëveshjeje ndërkombëtare që synon nderimin e viktimave.
Sipas hetimit të përbashkët nga media gjermane, disa shtete anëtare të NATO-s kanë marrë informacione se njësitë ushtarake ruse kanë kryer operacione në det të thellë në vendin e rrënimit të Estonia në vitet e fundit, transmeton KosovaPress.
Moska ka vendosur pajisje mbi ose pranë rrënojave, duke përfshirë pajisje navigacioni me precizitet të lartë dhe sensorë të aftë për të drejtuar dronë nënujorë. Pajisjet gjithashtu mund të regjistrojnë ‘firmat’ akustike të anijeve luftarake dhe nëndetëseve të NATO-s në Detin Baltik.
Këto teknologji i lejojnë Rusisë të monitorojë në mënyrë diskrete aktivitetin detar dhe potencialisht të përgatitet për të prishur rrugët kryesore detare, duke përfshirë kabllot e energjisë dhe komunikimit.
Drejtoria kryesore ruse për eksplorimin e detit të thellë (GUGI), një njësi tepër sekrete brenda Ministrisë së Mbrojtjes ruse, është identifikuar si mbikëqyrëse e operacioneve të tilla. GUGI operon një flotë anijesh të specializuara dhe dronësh nënujorë, duke përfshirë anijen Yantar për mbledhjen e inteligjencës, të cilën marinat e NATO-s e monitorojnë rregullisht pranë infrastrukturës së ndjeshme nënujore në Detin e Veriut dhe atë Baltik.
Roja kufitare e Finlandës u tha mediave gjermane se nuk do të komentonte mbi operacionet specifike të mbikëqyrjes për arsye operacionale. Ministria e Jashtme estoneze tha se po monitoronte nga afër zhvillimet në Baltik në bashkëpunim me aleatët e saj.
“Vendndodhja e rrënojave në Detin Baltik midis Suedisë, Finlandës dhe shteteve baltike, sipas disa përfaqësuesve ushtarakë në diskutime, është ideale për mbledhjen e fshehtë të inteligjencës përkatëse për shkak të rrugëve të saj detare.
Përveç kësaj, Rusia mund të operojë atje pa pengesa sepse ekziston një ndalim zyrtar për zhytje. Një avantazh tjetër është se, ndryshe nga fundi ranor i Detit Baltik, pajisjet e bashkangjitura në rrënoja janë të vështira për t’u zbuluar dhe mund të instalohen përgjithmonë”, thuhet në raport.
Trageti MS Estonia u mbyt natën midis 27 e 28 shtatorit 1994, gjatë rrugës nga Talini në Stokholm. Në bord kishte 989 pasagjerë dhe ekuipazh, dhe vetëm 137 mbijetuan. Hetimet treguan se shkak i aksidentit ishte një dështim i kapakut të harkut për shkak të erërave dhe valëve të larta. Shumica e viktimave nuk u gjetën kurrë.







