Një ekspres i fikur, një debat me tone të larta dhe 2 të vdekur. Historia duket si triller por realitet u bë vetëm 4 ditë më parë, më 22 tetor, kur në Manëz të Durrësit 2 të rinj mbeten të vrarë pas një shkëmbimi zjarri. Tragjedia më shumë mundësi nuk do të kishte ndodhur, nëse të dyja palët e përfshira në sherrin për një kafe ekspres nuk do të ishin të armatosura.
Ngjashëm, një tjetër ngjarje u regjistrua më 17 tetor në parkingun e një qendre tregtare në Tiranë. 2 palë u konfliktuan, këtë herë jo për një kafe por për një vend parkimi. Sërish, arma u nxor nga brezi dhe vetëm fati deshi të mbyllej vetëm me plagosje. Arma u nxor edhe në Tepelenë në fund të shtatorit, kësaj radhe për dritat e gjata të makinës, kur një biznesmen italian mbeti i vrarë.
Konfliktet për shkaqe banale dhe krejtësisht të rastësishme po marrin jetë njerëzish. Arsyeja: armët në vend duket sikur janë kudo. Shqetësimi bëhet i madh kur ke parasysh se sa lehtë e posedon një pjesë e shoqërisë armën dhe sa lehtë më pas e përdor atë.
Në 10 muajt e parë të këtij viti, policia mundi të gjejë dhe sekuestrojë mbi 515 armë, nga pistoletat deri tek kallashnikovët e më gjerë. Një pjesë shumë e madhe e tyre janë armë të kapura gjatë kontrolleve rutinë në rrugë apo në makinë. Pra, poseduesi i tyre i mban me vete, me mendësinë “të jetë aty se ndoshta duhet”. Armët kapen nga blutë përgjithësisht të fshehura në makina, por ka raste edhe në brez, me fishekë në fole dhe gati për qitje. Të dhënat e Policisë së Shtetit për vitin 2024, flasin për total prej 644 armësh të sekuestruara, shifër e cila deri në fund të vitit 2025 ka tendencë të barazohet ose tejkalohet.
Vendi ynë vjen nga një histori e dhunshme armësh që prej 1997-ës, vit kur në duart e shqiptarëve përfunduan me mijëra armatime. Shteti shqiptar, në përpjekje për të ulur numrin e tyre në popullatë, deri më tani ka bërë disa fushata amnistie. E fundit ajo e vitit 2017, në të cilën u dorëzuan 1603 armë zjarri, 1558 granata dore dhe mbi 580 mijë municione. Prej gati 9 vitesh, pavarësisht diskutimeve nën zë, një amnisti e radhës duket larg dhe pa një bazë konkrete. Organizatat që merren me studimin e armëve në duart e shqiptarëve rekomandojnë masa të fuqishme sensibilizimi, përndryshe një amnisti e mundshme do të ishte e padobishme.
Në kushtet aktuale, ligji në Shqipëri dënon armëmbajtjen pa leje me 7 vjet burg, çka do të thotë se çdo dëshirë e mundshme për të dorëzuar armë përkthehet në burg. I tillë ishte rasti i një burri në Kukës, i cili dorëzoi armë e municione të vjetra, veprim që i kushtoi nisjen e hetimit në gjendje të lirë, me të cilin rrezikon në vijim burgun.
Por shqiptarët nuk kanë më vetëm armët e ’97-ës. Vitet e fundit sa vjen dhe pakësohet kapja e armëve pa leje të armëve të trashëguara. Armë të reja, të trafikuara nga jashtë, të cilat përdoren në ngjarje kriminale sa vijnë dhe shtohen. Tregu është i hapur për armë që vijnë prej vendeve fqinje, sidomos Serbia dhe Kosova. Në Shqipëri sekuestrohen prodhime pistoletash deri edhe nga Afrika e Jugut.







