Ballina Rajoni BDI: Sindromin e Gazimestanit VLEN e manifestoi me Ambasadorin Rus dhe rusofilin...

BDI: Sindromin e Gazimestanit VLEN e manifestoi me Ambasadorin Rus dhe rusofilin Stoilkoviç

66
0

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj koalicionit VLEN për një ngjarje të organizuar nga Ambasada e Rusisë dhe shoqatat serbe në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë veprim si “manifestim të sindromit të Gazimestanit”.

Sipas BDI-së, ambasadori rus Bazdnikin, bashkë me zëvendëskryeministrin për Marrëveshjen e Ohrit, Ivan Stoilkoviq – i njohur për qëndrimet e tij rusofile – dhe me përfaqësues të shoqatave serbe në vend, kanë shënuar përvjetorin e “Betejës së Kumanovës” të vitit 1912. Kjo betejë, sipas BDI-së, simbolizon okupimin serb të Maqedonisë dhe vrasjen e mijëra shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Jemi dëshmitarë të manifestimeve të shpeshta serbe në Maqedoni, si dhe të deklaratave të tipit ‘Serbia jugore’, ‘Serbia e vjetër’, ‘Banovina e jugut’, ndërkohë që autoritetet serbe i quajnë maqedonasit ‘maqedono-veriorë’, pa asnjë reagim nga institucionet tona. Koalicioni VLEN po i zëvendëson shqiptarët me serbë në pozitat drejtuese të qeverisjes, po sjell banka serbe në vend dhe po bashkëpunon ngushtë me figura politike si Dodik dhe Vuçiq, duke fyer Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe veteranët kosovarë.

Si në maj të vitit 2024, në zgjedhjet presidenciale e parlamentare, ashtu edhe në tetor 2025, VLEN feston humbjen. Historia njeh vetëm një rast të tillë: betejën e Gazimestanit në Fushë Kosovë, ku serbët e mundur festojnë ende sot betejën me otomanët të vitit 1389. Ky fenomen i festimit të humbjes quhet ‘sindroma e Gazimestanit’, e njohur deri dje vetëm për serbët, por nga sot edhe për VLEN”, thuhet në reagimin e BDI-së.