Një krim i rëndë i ndodhur mbrëmë në qytetin Novo Mesto në juglindje të Sllovenisë dhe ka çuar në dorëheqjen e dy ministrave.
Ngjarja sipas mediave lokale, ka tronditur mbarë opinionin publik dhe ka çuar në rritjen e tensioneve raciale pasi autori i krimit është një anëtar i komunitetit Rom
Sipas asaj që deklarojnë autoritetet, por edhe mediat lokale, 48-vjeçari slloven kishte shkuar të merrte fëmijën e tij, kur pranë një restoranti të njohur u sulmua brutalisht nga disa anëtarë të komunitetit Rom. Ai mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spital. Një 20-vjeçar Rom është arrestuar si autor i dyshuar i krimit të rëndë.
Por përpara se të vriste 48-vjeçarin slloven, po i njëjti person kishte sulmuar një djalë të ri shqiptar, i cili raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë në spital, raporton VoxNews.al. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur.
Sipas qytetarëve dhe dëshmitarëve, qyteti Novo Mesto ka nivel të lartë krimi, vjedhje, grabitje, dhunë, që ata ia atribuojnë komunitetit Rom që banon aty.
Ministri i Brendshëm Bostjan Poklukar dhe Ministrja e Drejtësisë Andreja Katic dhanë dorëheqjen disa orë pas krimit të rëndë. Kryeministri Robert Golob pranoi dorëheqjet e tyre.
Sakaq, mijëra qytetarë në të gjithë vendin janë sensibilizuar duke protestuar në heshtje.







