Qarku i Kukësit prej mëngjesit është përfshirë nga mot i keq, me reshje të dendura shiu dhe mjegull të dendur në orët e para të së dielës veçanërisht në zonat e ulëta dhe luginat. Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, janë raportuar problematika në disa rrugë rurale dhe nacionale.
Sipas informacioneve paraprake, në segmentet nacionale Kukës–Qafë Mali, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi ka prezencë uji në sipërfaqe, ndërsa në disa pjesë të rrugës janë regjistruar rënie gurësh dhe inerteve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Edhe Rruga e Kombit ka patur pasoja e motit të keq. Segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit u përfshi nga mjegull e dendur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Në dy pika të tjera, respektivisht në hyrje të qytetit të Kukësit dhe pranë Urës së vjetër mbi Drinin e Zi, janë shënuar rënie gurësh dhe dherash.
Ekipet e Bashkisë Kukës kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës dhe largimin e materialeve, ndërsa segmenti hyrës në qytet u përmbyt përkohësisht nga uji.







