Spanjollët e revoltuar kanë organizuar një protestë për të denoncuar mënyrën se si u menaxhuan përmbytjet vdekjeprurëse në Valencia.
Më shumë se 50 mijë persona dolën në rrugët e qytetit lindor të Spanjës dhe i bënë thirrje udhëheqësit rajonal, Carlos Mazon, të japë dorëheqjen pasi nuk mori masat e duhura për pasojat e përmbytjes.
“Njerëzit janë ende shumë të zemëruar, pse nuk u evakuuan njerëzit? Është e pakuptueshme”, tha Rosa Cerros, një nëpunëse publike 42-vjeçare, pjesë e protestës.
Administrata e Carlos Mazon është kritikuar ashpër, pasi akuzohet se nuk i dërgoi në kohë alarmet paralajmëruese për përmbytjet.
Qytetarët deklaruan se në kohën kur morën alarmin, uji me baltë kishte rrethuar makinat dhe shtëpitë e tyre.
“Mazón nuk ishte aty ku duhej të ishte atë ditë, ai nuk ishte në lartësinë e detyrës”, tha një protestues.
Si pasojë e përmbytjeve mbetën të vdekur 229 persona, ndërsa u prekën rreth 78 komuna.







