Gazetari investigativ Julian Hoxhaj, ka zbuluar detaje të reja mbi hetimin që po zhvillohet ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, në lidhje me aferën e tunelit të Llogarasë. I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Hoxhaj deklaroi se është “hapur një rubinet i vogël” nga i cili është filtruar edhe emri i ministres në komunikimet që kanë dalë nga telefonat e ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi.
Sipas tij, nga një fraksion i dosjes së Berberit, e ndarë në disa pjesë për shkak të volumit të të dhënave, janë zbardhur biseda që kanë çuar në hetimin e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë. Ky tender, tha Hoxhaj, po hetohet prej muajsh nga SPAK dhe tashmë janë përfshirë emra të rinj, përfshirë edhe vetë znj. Balluku.
“Jemi në një fazë të re të hetimit. Nuk janë më në qendër ish-zyrtarët apo drejtori i ARRSH, por vetë ministrja Balluku, e cila dyshohet se ka ndikuar që tenderi të përfundojë tek kompania e ish-vartësit të saj”, u shpreh Hoxhaj.
Gazetari Hoxhaj:
Është hapur një rubinet i vogël dhe nga ky rubinet duket që është filtruar edhe emri i Belinda Ballukut. Bëhet fjalë për sekuestrimin e 4 telefonave të ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, dhe nga një fraksion i dosjes së Evis Berberit, dosje e ndarë në disa fraksione sepse telefonat e tij kanë qenë një minierë ari për Prokurorinë e Posaçme, janë zbardhur në fakt edhe komunikimet me ministren Balluku të cilat kanë çuar në hetimin e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë.
Është pikërisht ky tender që të paktën deri tani po hetohet, është bërë publik edhe më përpara, pra hetimi i tenderit për mbikëqyrjen e tunelit të Llogarasë nuk është diçka e re, ka qenë të paktën disa muaj më parë dhe ne e kemi komunikuar atë, por tashmë jemi në një fazë të re, jemi në një fazë ku të pandehur ose persona nën hetim nuk janë më ish-zyrtarët apo drejtori i ARRSH, por është përfshirë edhe vetë zonja Balluku, e cila mesa duket ka ndikuar që ky tender të përfundojë pikërisht tek kompania e ish-vartësit të saj që u bë drejtor i ARRSH, Evis Berberi.
Kjo është indicia e parë, pra bëhet fjalë për 2 milionë euro të abuzuara ose një tender të paracaktuar, por duhet të kemi parasysh një gjë.
Nuk mund të flitet për tenderin e mbikëqyrjes së punimeve të tunelit të Llogarasë pa folur më parë për vetë aferën e tunelit të Llogarasë. Mund ta cilësojmë si aferë.
Është vërtetuar deri më tani që kompania që mbikëqyri punimet është kompania e ish-drejtorit të ARRSH, njeriut që ka firmosur paratë dhe pjesën financiare për disbursimin financiar të kompanisë turke, etj., etj., por lidhja është e tillë, indiciet kanë qenë publike, deklaratat kanë qenë publike të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Ajo që ka ndodhur me tunelin e Llogarasë është një nga aferat më të paprecedenta në historinë e ndërtimit të veprave infrastrukturore në Shqipëri.
Unë ju thashë që ka shkuar 30 milionë euro fitim për 2 kompanitë turke të cilat nuk kanë bërë asnjë punim vetë, pra kanë nënkontraktuar një kompani shqiptare e cila rezultoi se ishte pikërisht kompania e parë që kishte hyrë në garë dhe do ta ndërtonte tunelin e Llogarasë me rreth 140 milionë euro. Më pas u anulua tenderi i këtij projekti dhe u ritenderua me 190 milionë euro.
Pra, 50 milionë euro kanë shkuar në xhepat e një kompanie turke e cila nuk ka bërë asgjë, ka bërë vetëm transferim parash.
Nëse SPAK ka hyrë apo jo tek 190 milionë eurot, këtë nuk di ta them sot, por unë po ju them se faktet më të rënda janë pikërisht tek ky projekt, pra tek ky tender, dhe jo tek 2 milionë euroshi.
Ne na ka treguar historia në të shkuarën që projekte të tilla janë përdorur edhe si karrem për të shkuar pikërisht tek projekti më i madh apo tek aferat më të mëdha, por janë përdorur edhe si mekanizma për të amnistuar zyrtarët e lartë me dënimin më të vogël të mundshëm.
Nëse prokuroria mbetet deri tek tenderi 2 milionë euro, atëherë ngrihen dyshime se mund të jetë edhe një lloj amnistie. Nëse prokuroria ka shkuar përtej këtij tenderi dhe ka hetuar në vetvete atë që ka thënë zoti Ahmetaj një vit më parë në emisionin “Çim Peka Live”, atëherë kemi realisht të bëjmë me një hetim serioz dhe që do të cenojë pozitën e zv/kryeministres aktuale Belinda Balluku.







