Ballina Kuriozitete Science Alert: Zbulohet më në fund misteri i ‘shiut’ në Diell

Science Alert: Zbulohet më në fund misteri i ‘shiut’ në Diell

65
0

Shkencëtarët kanë hedhur dritë mbi një fenomen spektakolar që ndodh në Diell: “shiu koronal”, një lloj reshjeje që nuk ka ujë, por plazmë të mbinxehur, sipas “Science Alert”.

Ky shi bie nga korona diellore, shtresa më e jashtme e atmosferës së Diellit, dhe rrëshqet përgjatë vijave të fushës magnetike, duke formuar harqe gjigante në hapësirë.

Ndryshe nga shiu në Tokë, këto pika janë grimca plazme me temperatura miliona gradë, por që ftohen mjaftueshëm për t’u bërë më të dendura dhe për të rënë përsëri drejt sipërfaqes së Diellit.

Harkimet magnetike ku ato udhëtojnë janë aq të mëdha, sa mund të jenë pesë herë më të larta se Toka.

Prej vitesh, shkencëtarët nuk arrinin të shpjegonin si formohej kaq shpejt ky shi. Modelet e mëparshme llogaritnin se duheshin orë ose ditë ngrohjeje, ndërsa vëzhgimet e teleskopëve tregonin se fenomeni shfaqej brenda pak dhjetëra minutash, veçanërisht pas shpërthimeve të forta diellore.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Hauait zbuloi çelësin që mungonte: përqendrimet e elementeve në koronë nuk janë të qëndrueshme.

Në simulimet e reja ku u lejuan ndryshime të elementeve si hekuri, magnezi dhe silici, “shiut” iu deshën vetëm rreth 35 minuta të formohej, duke përputhur modelin me realitetin.

Këto ndryshime ndikojnë te humbja e nxehtësisë, duke ftohur papritur majat e harkut magnetik. Si pasojë, materiali ngrihet, ftohet me shpejtësi dhe më pas bie si “shi” plazme.

Sipas studiuesve, ky proces mund të jetë një element kyç për të kuptuar dinamikën e koronës dhe energjinë e saj.

Zbulimi jo vetëm shpjegon më në fund këtë fenomen kurioz, por i detyron shkencëtarët të rishikojnë teoritë mbi ngrohjen e koronës, një nga misteret më të mëdha të fizikës diellore.

Studimi u botua në revistën “The Astrophysical Journal” dhe pritet të ndikojë kërkimet e ardhshme mbi sjelljen e Diellit dhe stuhitë diellore që mund të prekin edhe Tokën.