Ballina Aktualitet Shqipëria ndër vendet me performancën më të lartë në sigurinë kibernetike

Shqipëria ndër vendet me performancën më të lartë në sigurinë kibernetike

71
0

Shqipëria përmes reformave të thella në këtë fushë ka arritur rezultat historik duke u vlerësuar me 85 pikë dhe duke u renditur në vendin e 18-të në botë në Cyber National Security Index (NCSI).

Drejtoresha e Monitorimit dhe Reagimit të Incidenteve Kibernetike, Qendrës Operacionale SOC CSIRT pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Esmeralda Kazia, thotë për ATSH, se “ky vlerësim përfaqëson një arritje të rëndësishme për Shqipërinë, duke reflektuar forcimin e sistemit të saj kombëtar të sigurisë kibernetike dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare”.

“Sipas tabelës zyrtare të NCSI, rezultati aktual shoqërohet me pozicionimin global numër 18, që e vendos Shqipërinë ndër vendet me performancën më të lartë në rajon. Kjo pikë e lartë është tregues i gatishmërisë strategjike, përmirësimit të kornizës ligjore në përputhje me NIS2, forcimit të kapaciteteve operacionale dhe zhvillimit të sistemeve të monitorimit të avancuar që garantojnë një mbrojtje të qëndrueshme të infrastrukturës kritike kombëtare”, tha Kazia.

Sipas saj, kjo arritje ndikon ndjeshëm në imazhin dhe besueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sa i takon sigurisë kibernetike, raporton KosovaPress.

“Ky rezultat forcon ndjeshëm imazhin e Shqipërisë si një vend që po ndërton me seriozitet një arkitekturë të qëndrueshme të sigurisë digjitale dhe po përmbush standardet më të avancuara të BE-së dhe NATO-s. Përputhshmëria me NIS2, zbatimi i Cyber Resilience Act dhe progresi në 5G Security Toolbox, në bashkëpunim me autoritetet e tjera përkatëse, e bëjnë Shqipërinë një partner të besueshëm në sistemin evropian të mbrojtjes kibernetike. Ky pozicionim rrit gjithashtu besueshmërinë ndërkombëtare për investimet e huaja dhe bashkëpunimet teknologjike në fushën digjitale”, pohoi ajo.

Kazia rendit disa nga faktorët kryesorë që çuan në këtë ngritje me 36 vende të Shqipërisë në harkun kohor të një viti.

“Në planin ligjor, Shqipëria ka përfunduar transpozimin e NIS2, duke forcuar përgjegjësitë e operatorëve të shërbimeve thelbësore dhe mekanizmat e raportimit të incidenteve. Në planin operativ, është ngritur dhe funksionalizuar Qendra Kombëtare Operacionale e Sigurisë (SOC), e cila ofron monitorim 24/7 dhe zbulim të hershëm të kërcënimeve përmes kombinimit të teknologjive me agjentë dhe pa agjentë. Ndërkohë, analiza e mangësive (gap analysis) ka ndihmuar në identifikimin e boshllëqeve teknike e procesuale dhe në përcaktimin e prioriteteve për ndërhyrje të drejtuara. Në bashkëpunim me autoritetet e tjera përkatëse, është zbatuar gjithashtu 5G Security Toolbox, duke siguruar që rrjetet e gjeneratës së pestë të komunikimit të zhvillohen me garanci të plota sigurie dhe rezistence ndaj kërcënimeve hibride”, pohoi ajo.

Drejtoresha e Monitorimit dhe Reagimit të Incidenteve Kibernetike pranë AKSK-së tha për ATSH se pas sulmit të vitit 2022, Shqipëria ndërmori një ristrukturim të plotë të arkitekturës së mbrojtjes digjitale.

“Është përmirësuar ndjeshëm koha mesatare e përgjigjes, janë përditësuar playbook-et operative dhe është implementuar filozofia Zero Trust Architecture, në përputhje me parimet e Cyber Resilience Act. Kjo ka rritur ndjeshëm reziliencën e institucioneve publike dhe të infrastrukturave kritike ndaj sulmeve të sofistikuara dhe atyre ndaj zinxhirëve të furnizimit”, tha ajo.

Sa i takon mbrojtjes aktuale të të dhënave të qytetarëve dhe institucioneve publike përballë sulmeve apo kërcënimeve digjitale të huaja, Kazia u shpreh se mbrojtja aktuale është shumë më e avancuar dhe e centralizuar se më parë.

Kazia u ndal edhe te prioritetet e radhës për sigurinë kibernetike në Shqipëri, duke theksuar se këto synime janë të orientuara drejt integrimit të plotë në hapësirën digjitale evropiane.