Kryeministri Edi Rama ndau sot lajmin e gëzueshëm se katërnjakë kanë ardhur në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Rozeta dhe Geraldo Vojkollari kanë sjellë në jetë katërnjakë pas një shtatzënie natyrale, shkruan ATSH.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama thekson se mbështetja me bonusin e bebes vijon. “Me lumturinë e familjes Vojkollari, të bekuar katërfish me ardhjen në jetë të Roal, Alroa, Roar dhe Auro në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’, ku sigurisht mbështetja me bonusin e bebes vijon”, shkruan Rama.
Prej vitit 2019, qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijojnë zbatimin e programit të bonusit të bebes, nga i cili kanë përfituar rreth 227 mijë familje që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre.
Sipas skemës aktuale, bonusi i bebes përfitohet nga familjet që jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri, në masën 40 000 lekë për lindjen e fëmijës së parë, 80 000 lekë për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë.







